zoom

In Zoom

Kaos në parkingun e QSUT. Dështon edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Agolli e Fico mbushin xhepat

Në vitin 2018, pas ankesave të shumta dhe pas disa protestave të bluzave të bardha, qeveria ia hoqi koncesionin e menaxhimit të parkingut të QSUT një kompanie private që e shfrytëzonte atë prej të paktën 6 vjetësh.

Për t’i dhënë zgjidhje kaosit të përditshëm menaxhimi iu kalua Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Por 5 vjet më pas asgjë s’ka ndryshuar.

Makinat lejohet të hyjnë në territorin e QSUT vetëm duke marrë një biletë parkingu, pavarësisht nëse ka apo nuk ka vende parkimi.

Lejimi i të gjitha mjeteve, ndonëse vendet e parkimit janë të zëna, krijon një kaos të pamenaxhueshëm, aq sa qendra spitalore më e madhe në vend ngjan me një treg mallrash me shumicë ku makina e kamionë ngarkojnë e shkarkojnë ç’të munden mes zhurmave e pluhurit.

Nëse dikush nuk gjen vend dhe vendos të largohet, do të duhet gjithësesi të paguajnë tarifën prej 100 lekësh, ndonëse largimi ka qenë i detyrueshëm dhe qëndrimi ka qenë vetëm pak minuta.

Në këtë mënyrë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit kujdeset vetëm të arkëtojë sa më shumë para, por jo për t’i dhënë zgjidhje gjendjes kaotike. Në hyrje e daljet e QSUT-së, punonjësit e fondit kërkojnë vetëm paratë e biletës, por nuk japin asnjë sqarim kur dikush u kërkon llogari se përse e lejuan të hyjë brenda me makinë kur nuk ka vende të lira parkimi.

Ata që detyrohen të parkojnë duke shkelur rregullat e qarkullimit, gjobiten nga policia rrugore, ndonëse janë pajisur me bileta. Nuk mungojnë edhe rastet e konflikteve mes drejtuesve të makinave, për shkak të bllokimit të lëvizjes se njëri – tjetrit.

Menaxhimi i parkingut është denoncuar vazhdimisht edhe nga vetë mjekët e drejtuesit e QSUT.
Në kulmin e pandemisë, Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, do të shpërthente në rrjetet sociale në këtë mënyrë.

  • “Të jesh drejtor në kohë Covidi, të jesh mjek në kohë Covidi, të punosh me orar dhe pa orar në kohë Covidi! E kam fjalën për parkimin e QSUT, nuk po diskutoj pagesën me 100 lekë të reja! Nuk e di dhe nuk hyj në meritën nëse duhet të paguajnë drejtuesit e shëndetësisë dhe drejtuesit e institucioneve të varësisë kur hyjnë në QSUT për punë shteti, për takime pune ose kontrolle të gjendjes së spitaleve, detyra të përcaktuara nga ligji! Di që kam disa vite me radhë që i paguaj, por pagesa e këtij 100 lekshi të sotëm më bëri të ndjehem i vjedhur, i poshtëruar. Kjo pagesë është e padenjë, e paskrupull, për këdo biznes qoftë. Shkova me urgjencë për një takim te Covid 3 për arsye të rritjes së numrit të të infektuarve dhe fillimin e skenarit të tretë sipas strategjisë së MSHMS-së. Sapo hyra u prezantova te trari i hyrjes, ndërkohë më njoftuan në telefon se duhej të paraqitesha në ministri. Bëra vetëm rrethrrotullimin brenda QSUT dhe në dalje më kërkuan të bëja pagesën prej 100 lekësh. I thashë zonjë jam drejtori i urgjencës dhe bëra vetëm rrethrrotullimin pse duhet të paguaj. Pasi bëri një telefonate zonja mu drejtua: “Zoti Brataj, unë ju falnderoj për punën që po bëni por nga zyra e parkingut më thonë se duhet të paguani 100 lekë të reja. Kur ne mjekëve na ndodh diçka me pacientin, ose ndonjëherë na fusin nga një 500-1000 lekësh në xhep, na fusin në burg, na diskretitoni nëpër media dhe portale në të gjithë vendin… Fenomeni është i dënueshëm vetëm për mjekët? Po këta nuk janë hajdutë, nuk duhet të diskretitohen? Kjo është fatura dhe NIPT i biznesit të famshëm të parkimit! Kuponi nr.70, vetëm nga një hyrje në QSUT, po në tre –katër hyrjet e tjera sa 100 lekshe janë vjedhur!”

Mjekët dhe infermierët thonë se Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk ka bërë asgjë për të rregulluar menaxhimin e parkingut dhe për të përmirësuar situatën.

Gjendja është kaotike çdo ditë si në kohën kur e menaxhonte kompania private që kishte fituar koncesionin, aq sa edhe autoambulancat ngelen në trafikun që krijohet brenda territorit të QSUT.

“Të gjithë duan vetëm të marrin paratë dhe askush nuk bën asgjë për të gjetur zgjidhje”, – tha një mjek për Zoom.al në kushtet e anonimatit. “Kjo vetëm qendër spitalore s’mund të quhet. Ndoshta han pa porta”.

Të dhënat e siguruara nga Zoom.al tregojnë se në parkingun e QSUT hyjnë mbi 4 000 automjete në 24 orë. Por parkingu ka vetëm 900 poste.

Për 2 orët e para të qëndrimit paguhen 100 lekë. Më pas, për çdo orë paguhet nga 100 lekë shtesë.
45 % të të ardhurave i shkojnë QSUT -së që drejtohet nga Albana Fico, ndërsa 55 Fondit Shqiptar të Zhvillimit që drejtohet nga Dritan Agolli.

Mesa duket, të dyja institucionet kujdesen të arkëtojnë sa më shumë dhe aspak për të rregulluar gjendjen kaotike. /Zoom.al