Aplikacion
Radio Televizioni Shqiptar, që ka humbur me kohë shkëlqimin e tij, vazhdon të jetë një ndër shpenzuesit më të mëdhenj të buxhetit të shtetit, edhe pse funksionin e dobinë e tij nuk mund ta përcaktojë më askush.
Buxheti vjetor, me ndryshime të papërfillshme nga viti në vit i RTSh-së, i kalon 2 mld lekë (të vjetra), përfshirë financimin shtetëror, reklamat, etj.
Një vlerë shumë e madhe e këtij buxheti arkëtohet drejtëpërdrejtë nga qytetarët, nëpërmjet faturës së ujit. Sipas raportit të vitit 2021 (i fundit i publikuar nga ERRU) janë 921.158 kontrata uji. Pra, janë po ashtu 921.158 fatura uji ku tarifohet edhe taksa për RTSH-në, prej 100 lekësh të reja. Me një llogari të thjeshtë, bëhet fjalë për mbi 92 mln lekë të reja, çdo muaj.
Nëse shifra të tilla do të shkonin për ndërtimin e subjekteve jetësore për qytetarët, shkolla, kopshte, çerdhe etj, jetesa në Tiranë do të ishte më pak stresuese dhe mirënjohja do të ishte më e madhe.
Raporti midis të mirës publike që ofron televizioni dhe këtyre shifrave është i zhdrejtë. Mbi këtë, shtojmë faktin se përpos RTSH-së qendrore, kanalit gjeneralist, nën këtë logo ka edhe më shumë se 10 kanale të tjera, lokale apo me tematike të veçanta. Dobia e këtyre kanaleve është e diskutueshme, si nga ana e përmbajtjes edhe nga ana e audiencës, por ato vazhdojnë “të punësojnë” dhe të paguhen me paratë e qytetarëve…kot.
Me një numër të punësuarish prej rreth 2.000 vetë, RTSH është sulmuar shpesh herë për skemat e punësimit nepotik, apo edhe punësimin e rremë, ku persona që marrin pagë nga paratë e shqiptarëve nuk kryejnë asnjë lloj funksioni atje.
Më herët, opozita dënoi një kërkesë të RTSH-së për rritje të fondeve, duke përmendur pikërisht këto abuzime.
“Punësimet nepotike dhe punësimet ‘kushëriri këtij, burri asaj, vjehrri atij, shoku këtij etj’, janë modeli se si ju i punësoni në RTSH dhe këto kanë marrë të gjitha taksat dhe paratë e RTSH. Nuk jemi fare dakord më atë që thoni ju për rritjen e tarifave të qytetarëve që të merrni ju më shumë para për të gllabëruar dhe vjedhur nga taksat e qytetarëve shqiptarë dhe nuk jemi fare dakord që ju të ju rritet buxheti”, u shpreh deputetja e PD-së, Ina Zhupa, vitin e shkuar.
Sipas raportit vjetor të vetë RTSH-së, dy janë shpenzimet kryesore, administrata që harxhon 37% të buxhetit total dhe teknika me 48% të totalit./Zoom.al