zoom

Aktualitet

Kadastra nuk gjen qetësi, jep dorëheqjen drejtoresha e re

Vetëm dy muaj qëndroi në detyrë drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli.

Burime për Zoom.al konfirmojnë se ajo ka dhënë dorëheqjen e parevokushme, pasi u emërua në këtë post më 31 korrik.

Goxhobelli kaloi nga Ministria e Mbrojtjes, ku shërbente si këshilltare e jashtme ligjore për pronësinë në kabinetin e ministrit që prej qershorit 2022, në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për të zëvendësuar Dallëndyshe Bicin.

Kjo e fundit u largua nga Kadastra për t’u emëruar drejtuese në Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtes së Territorit.

Ndërkohë, pas dorëheqjes së Goxhobellit, emrit që përflitet se do të zërë vendin e saj është Risena Xhaja.

Ajo disa vite më parë ka mbajtur postin e drejtoreshës së Kadastrës së Durrësit, detyrë nga e cila dha dorëheqjen në dhjetor të vitit 2022.

Më herët, Xhaja ka mbajtur edhe postin e zv.drejtoreshës së Përgjithshme të Kadastrës.