zoom

Aktualitet

Jurgis Çyrbja mohon mesazhet në Sky: Nuk jam unë

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja ka mohuar akuzat që SPAK ka ngritur ndaj tij për bashkëpunim me personazhe të krimit.

Para prokurorit të posaçëm Adnan Xholi, ish-deputeti ka dëshmuar se bisedat në SKY nuk i ka bërë ai, duke pretenduar se nuk e ka patur kurrë këtë aplikacion.

“Nuk kam patur kurrë aplikacion “Sky Ecc” dhe nuk jam unë ai që komunikoj me ata persona. Unë nuk kam përkrahur asnjë person në kërkim, as nuk kam strehuar ndonjë të tillë”.

Jurgis Çyrbja u arrestua dy javë pasi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, i akuzuar për “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer më tepër se një herë, “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer më tepër se një herë si dhe për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Ish-deputeti i PS Çyrbja dyshohet se ka dalë në komunikime në platformën e koduar Sky ECC me Altin Hajrin, duke dekonspiruar punën e policisë. Në këmbim Jurgis Çyrbja kërkonte sigurimin e votave.