zoom

Bota

“Ju lutemi, na rimbursoni”! Wizz Air tërhiqet nga Cardiff-i, udhëtarët lihen në harresë

Pasagjerët e kompanisë së fluturimeve “Wizz Air” deklarojnë se mbetën në harresë, pasi linja ajrore njoftoi se po tërhiqej nga aeroporti i Cardiff-it.

Wizz Air tha se nuk ishte në gjendje të vazhdonte operimin nga Cardiff-i për shkak të kostove të larta.

Matthew Banwell, 51 vjeç, nga Tonyrefail u shpreh se nuk do të fluturojë më kurrë me Wizz Air-in, pas shërbimit që mori.

Ai tregoi se si grupit prej 27 persona, që u la në mes të katër rrugëve iu desh të paguante nga 900 £, me qëllim kthimin në shtëpi përmes një linje ajrore tjetër.

“Na është dashur të rezervojmë 27 fluturime shtesë për në shtëpi, para shtesë, kosto shtesë dhe më është dashur t’i kërkoj shoferit të autobusit të na marrë nga Bristoli në vend të Cardiff-it, i cili ka kushtuar 250 £ të tjera. Nuk do ta përdor më kurrë Wizz Air-in.”

“Ju lutem, a mund të na rimbursoni?”

Charlie Ann O’Brien, nga Penarth-i tha se është përpjekur të marrë një rimbursim nga Wizz Air-i, për një fluturim të anuluar verën e kaluar, por pa rezultat.

37-vjeçarja sqaroi se fluturimi i saj për në Portugali në qershor u anulua në ditën e udhëtimit, kështu që iu desh të rezervonte shpejt e shpejt një fluturim tjetër dhe të udhëtonte në Londër Gatwick për të fluturuar me një linjë ajrore tjetër.

Linja ajrore i ofroi asaj një rimbursim nëpërmjet kreditit të Wizz Air, për të cilin zonja O’Brien tha se është “e padobishme”, sepse ajo kishte rezervuar një fluturim zëvendësues dhe tanimë linja ajrore po tërhiqet nga Cardiff.

“U kam thënë: Ju lutem, e di që është vetëm 86,40 £, por ju lutem, a mund të më ktheni paratë? Nuk po arrij askund me ta,”- tregon ajo.

Gruaja thotë se pavarësisht përpjekjeve të saj nuk ka qenë në gjendje të kontaktojë me një person nga Wizz Air për të pyetur për rimbursimin e saj.

“E vetmja mënyrë që mund t’i kthejnë ato para është duke rezervuar përsëri me ta. Dhe padyshim që tani nuk kam mundësi të rezervoj me ta, sepse ata nuk po fluturojnë më nga Cardiff-i,”- shtoi ajo.

Eksperti i udhëtimeve Simon Calder shpjegon se Wizz Air do të duhet të zgjidhë problemet e udhëtimit që krijoi duke vendosur të braktiste Cardiff-in.

“Rregullat evropiane për të drejtat e pasagjerëve ajrorë janë në anën tuaj. Wizz Air duhet t’ju ofrojë një rimbursim të plotë, natyrisht, por rregullat shkojnë më tej se kaq,” tha ai.

“Ju mund të thoni në mënyrë të kuptueshme “jo faleminderit, dua transportin që kam rezervuar fillimisht” dhe Wizz Air duhet të gjejë një mënyrë për t’ju çuar në destinacionin tuaj ku keni rezervuar fillimisht, me shpenzimet e veta.”

“Kjo do të duhet të përfshinte gjithashtu shtrirjen dërgimin në Aeroportin e Bristolit ku mund të fluturonit me EasyJet, Ryanair ose Jet 2 me shpenzimet e Wizz Air-it.”

Megjithatë, ai shtoi se “të thuash se cilat janë rregullat dhe në fakt të marrësh shpërblimin tënd janë dy gjëra të ndryshme”.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i Wizz Air-it tha:

Wizz Air sinqerisht kërkon falje për ndërprerjen dhe shqetësimin e shkaktuar nga mbyllja e bazës së saj në aeroportin e Cardiff-it.

Klientët e prekur janë njoftuar me e-mail dhe kanë opsionin e një rimbursimi 100% të parave të gatshme, një rimbursim prej 120% të tarifës origjinale në kreditimin e linjës ajrore, ose një fluturim alternativ nëpërmjet Birmingham, Bristol, Gatwick, Leeds, Liverpool ose Londër. Luton.

Klientët që kanë rezervuar nëpërmjet një agjencie udhëtimi në internet duhet të kërkojnë një rimbursim përmes agjencisë, pasi Wizz Air mund të përpunojë rimbursimet vetëm te pronari i rezervimit.

Zoom.al ka denoncuar vazhdimisht parregullsitë e kësaj kompanie, që jo pak herë ka braktisur udhëtarë shqiptarë. Ne kemi dërguar një kërkesë për informacion pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe jemi në pritje të përgjigjes.