zoom

Ekonomi

“Ju ka zënë paniku”! Skandali me inceneratorët, institucionet nuk japin informacion

KELMENT BAÇI/ Dega e Thesarit ka injoruar përsëri kërkesën për t’i dhënë informacion Komisionit Hetimor për Inceneratorët, duke mos vënë në dispozicion të Kuvendit transaksionet e kryera nga buxheti i shtetit me kompanitë e akuzuara për afera korruptive dhe përfitime financiare.

Gjatë diskutimeve të mbledhjes së djeshme, kryetarja e këtij Komisioni Jorida Tabaku e cilësoi të papranueshme që një institucion nuk i është përgjigjur Kuvendit. Por, Thesari nuk është i vetmi institucion që deri tani ka refuzuar të japë informacion. “Këshilli i Ministrave, Ministria e Mjedisit, Bashkia Tiranë, Bashkia Elbasan, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Agjencia e Prokurimeve Publike nuk kanë kthyer përgjigje. Përfituesit më të mëdhenj të kontratës së inceneratorëve kanë refuzuar të kthejnë përgjigje për dokumente dhe shkresa zyrtare. Bankat kanë kthyer një përgjigje.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka kthyer përgjigje për hyrje-daljet nga sistemi ‘Times’, për Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Lefter Koka, Alqi Bllako dhe Erion Veliaj. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, që duhet të ishte më e interesuara për këtë çështje, të gjitha transaksionet e kryera nga institucionet publike për llogari të ‘Albtek Energy’, ‘Integrated Technology Waste Treatment Fier’ dhe ‘Integrated Energy BV SPV’, nuk ka ardhur asnjë informacion. Nuk ka asnjë justifikim për zyrtarë shteti për të mos kthyer asnjë përgjigje. Listëpagesat e të gjithë shoqërive jemi në pritje nga Drejtoria e Tatimeve”, tha Tabaku.

Për deputetët e opozitës, rrugëdalja e vetme për të marrë informacionin e kërkuar është vendosja përpara përgjegjësisë penale të institucioneve që nuk kanë kthyer përgjigje. Deputeti Luçiano Boçi u shpreh se ata që janë përmendur në këtë Komision i ka kapur paniku. “Unë shoh që ka një lloj frike dhe për këtë më vjen mirë. Që në këtë histori të gjithë ata që po hetohen dhe janë akuzuar politikisht janë të frikësuar, kanë një tendencë për të bllokuar dhënien e informacionit për ballë këtij Komisioni. Ajo që është pjesa më qesharake është që kërkesat e maxhorancës në shumicën e tyre janë plotësuar, ndërsa kërkesat tona nuk janë sjellë, qoftë nga institucionet shtetërore, ashtu edhe bankat.

Por, ka dhe një anë qesharake në diferencën e dhënies së përgjigjes, ku maxhorancës po i njëjti institucion, po marr inceneratorin e Elbasanit, Bashkia Elbasan ka pasur kohë që t’i japë përgjigje, ndërsa opozitës për kërkesën e saj nuk ka gjetur kohë. Dihet shumë mirë se duhet të ndjekësh paranë për të gjetur gjurmët e krimit dhe autorët që kanë ekzekutuar krimin dhe ne për këtë po kërkojmë dhe do të insistojmë në këtë gjë”, tha Boçi.

Por, përfaqësuesit e maxhorancës kanë mendim ndryshe, pasi informacionet që mungojë nuk janë të një rëndësie parësore dhe puna e Komisionit duhet të vazhdojë me ato që kanë mbërritur deri kur do vijnë përgjigjet e tjera. “Kanë ardhur në Kuvend të trija kontratat koncesionare, Fieri, Elbasani dhe Tirana janë në Kuvendin e Shqipërisë. Kërkesa thelbësore e gjërave ka ardhur dhe ne mund të operojmë më tej, duke besuar që edhe përgjigjet e tjera dytësore do të vijnë.

Përderisa objekti i hetimit janë procedurat e ndjekura për ndërtimin e impianteve, do të thotë që dokumentet janë dhe ne mund të procedojmë me to. Gjykoj që dokumentacionin e kemi dhe mund të vijojmë më tej në avancimin e hetimit të këtij Komisioni”, tha deputetja e PS-së Ermonela Felaj. Kryetarja Tabaku u shpreh se: “Besoj që kemi ezaururar çdo afat ligjor, etik dhe moral për të pritur dhe ne do të përgatisim padi penale për ata që nuk kanë kthye përgjigje, por do të presim deri në mbledhjen e ardhshme kur kemi për miratim planin e hetimit”.

Postime të lidhura