Aplikacion
Jerusalemi zyrtar vazhdon të lëvizë forcat drejt kufirit përpara nisjes së ofensivës tokësore, ndërsa në Gaza civilët po i drejtohen pjesës jugore të Rripit, me një marshim që aktualisht ka shënuar radhë prej 10 kilometrash.
Ata që nuk kanë mjete transporti vazhdojnë në këmbë me bagazhet e tyre rrugën për të shpëtuar kokat, ndërsa në mbrojtje u kanë ardhur Kombet e Bashkuara.
OKB në një deklaratë të lëshuar së fundmi i “tërheq veshin” Izraelit, duke thënë se është “e pamundur” që 1.1 milionë palestinezë të zhvendosen në jug të Gazës në 24 orët e ardhshme.
“Zyrtarët e OKB-së në Gaza u informuan nga oficerët e tyre ndërlidhës në ushtrinë izraelite se e gjithë popullsia e Gazës në veri të Wadi Gazës duhet të zhvendoset në Gazën jugore, brenda 24 orëve të ardhshme. Kjo do të thotë se zhvendosen afërsisht 1.1 milionë njerëz, ose gati gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë që jeton në Gaza“, tha zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric në një deklaratë në Nju-Jork.
Dujarric shtoi se OKB-ja e konsideron të pamundur që një lëvizje e tillë të ndodhë pa pasoja shkatërruese humanitare.
OKB-ja apelon që urdhri të anulohet për të shmangur atë që mund të transformojë tragjedinë aktuale në një situatë katastrofike.
Qëndrimi kritik i OKB-së ndaj urdhrit të evakuimit, erdhi pasi Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se kjo po ndodh për sigurinë e banorëve të Gazës.
Hamasi sakaq e ka cilësuar paralajmërimin “propagandë të rreme” dhe u ka kërkuar palestinezëve “të mos bien pre e tij”.