zoom

Bota

Izraeli ashpërson ofensivën në Liban/ Kërkohet evakuimi i 30 fshatrave

Ushtria izraelite ka filluar operacion tokësor kundër Hezbollahut në Libanin jugor, ndërsa vazhdon të bombardojë zonat afër kufirit dhe të kryejë sulme ajrore në kryeqytetin, Bejrut.

Zëdhënësi ushtarak i Izraelit urdhëroi banorët e rreth 30 fshatrave kufitare në Libanin jugor që të evakuohen.

Deri më tani nuk ka patur luftime të drejtëpërdrejta mes ushtrive të të dy vendeve.

Zëdhënësi ushtarak i Izraelit, Daniel Hagari, tha se Izraeli do të bënte “çfarëdo që të jetë e nevojshme” për të shmangur përsëritjen e një sulmi të stilit të 7 tetorit në “ndonjërin nga kufijtë tanë”.

Ai pretendoi se Hezbollahu i kishte kthyer fshatrat libaneze pranë fshatrave izraelite në vijën blu të tërhequr nga OKB në baza ushtarake nga të cilat do të fillonte një sulm.

Qeveria e Libanit ka thënë se rreth 1,000 njerëz janë vrarë, rreth 6,000 janë plagosur dhe një milion janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre si rezultat i sulmeve izraelite në ditët e fundit. Ushtria izraelite pretendon se po synon Hezbollahun dhe infrastrukturën terroriste.