Aplikacion
Zikaltrit dhe kuqezinjtë do të përballen me njëri-tjetrin si të parët e klasës, por me veçorinë që miqtë do të mund të festojnë titullin në rast tri pikësh. Rrugë të ndryshme, por rezultate të ngjashme, deri tani, për skuadrat e Simone Inzagit dhe të Stefano Piolit, të cilët do të duhet të bëjnë llogaritë e duhura për të qenë sa më të sigurt në zgjedhjet e tyre.
Derbi do të karakterizohet para së gjithash nga loja ofensive e propozuar nga dy ekipet. Zikaltrit dhe kuqezinjtë në 32 javë të kampionatit kanë shënuar respektivisht 77 nga 63 gola. I pari sulmon me 3-5-2, i dyti me 4-3-3: formacionet ndryshojnë për nga pozicionet dhe lëvizjet, por janë të ngjashëm për sa u përket shkathtësisë dhe lëvizjeve ofensive. Të dy trajnerët kërkojnë një futboll më europian dhe vertikal.
Dy sulmuesit janë manifesti i skuadrës: Lautaro Martinez(23 gola) në njërën anë, Olivie Zhiru(13 gola) në anën tjetër. Por i gjithë sulmi i dy skuadrave milaneze është në gjendje të godasë. Interi sulmon me anësorë, Milani edhe me Rafael Leaon.
Ekipi i Inzagit është ndoshta më solid, konkret, më i fuqishëm siç ka treguar në këtë sezon me vetëm një humbje. Por Milani është më i paparashikueshëm, me imagjinatë dhe më shumë teknik pavarësisht se në derbi prezantohet me një barazim e dy humbje (me eliminim nga Liga e Europës) mbi supe. Në të dyja rastet, megjithatë, kolektivi gjithmonë ka shumë rëndësi.
Milani dhe Interi do të përballen në një derbi me role krejtësisht të ndryshme pas për djemtë e Inzagit titulli është thjesht formalitet, teksa “Djalli” synon të vonojë të paktën me një ndeshje festën e tyre. Ndër titullarët spikasin Ruben Loftus-Çik, Tizhani Reijnders dhe Kristian Pulisiçi. Në alternativa ka hapësirë për Junus Musah, Samuel Çukvueze, Noah Okafor dhe Luka Joviç. Faktori kryesor i panjohur ishte ambientimi, por “Djalli” regjistroi një fillim të mirë.
Të besuarit e Inzagit mbajtën të njëjtën strukturë, por megjithatë shtuan 12 lojtarë të rinj dhe vendosën, me Benzhamë Pavar (të blerë për 32 milionë euro), goditjen më të shtrenjtë të verës. Markus Turam, i punësuar si lojtar i lirë (duke mposhtur Milanin në duelin e merkatos) është simboli i ripërtëritjes verore të Interit siç e dëshmojnë 11 golat në Serinë A. Ai shënoi një javë më parë pas një pauzë të gjatë dhe nëse fillon edhe ta bëjë rregullisht atëherë mund të ketë dhimbje për rivalët. Duke filluar që nga Milani, i cili të djathtën e tij e provoi edhe në derbin e fazës së parë. /ZOOM.AL/