zoom

Aktualitet

Ishte arrestuar për drogë, 45-vjeçari vdes në Burgun e Reçit pas transferimit. Mister shkaku (EMRI)

Një ngjarje tjetër tragjike ka ndodhur në burgjet shqiptare. Dy muaj pas arrestimit dhe vetëm 5 ditë pas transferimit, i ndaluari Eduard Koka, 45 vjeç, nga Lezha, njoftohet se ka humbur jetën në Burgun e Reçit, ku mbahej i izoluar, në rrethana ende të paqarta dhe për të cilat pritet rezultati i ekspertizës.

Ai u vu në pranga nga Policia e Lezhës për drogë, maska (foto poshtë) dhe armë, teksa mësohet se në orët e para të mëngjesit të 7 qershorit nuk është ndjerë mirë, duke pasur probleme me frymëmarrjen dhe temperaturë të lartë.

Fillimisht stafi mjekësor i burgut i ka dhënë ndihmën e parë, por për shkak të situatës së rëndë, menjëherë është dërguar drejt urgjencës së spitalit rajonal të Shkodrës dhe pas pak orësh ka ndërruar jetë, duke mos arritur që të mbijetojë. Mjekët e spitalit rajonal janë munduar që të stabilizojnë gjendjen e tij shëndetësore, por ka qenë e pamundur.

Policia vendore tha se ai ishte i paraburgosur, në pritje të hetimeve dhe procesit. Eduard Koka u arrestua më 3 prill të këtij viti nga Policia e Lezhës dhe pas arrestimit dhe procedurave hetimore, nga Komisariati u dërgua në paraburgim në Burgun e Reçit me masën “arrest në burg” pesë ditë më parë, për të pritur derisa gjykata të mund të jepte një vendim për të. Duket se transferimi s’është pritur mirë nga i ndjeri.

45 vjeçari mesa duket nuk ka arritur që ta përballojë qëndrimin në burg, duke pasur shqetësime shëndetësore që i morën jetën në një mënyrë të papritur. Eduard Koka u arrestua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të policisë Lezhë, që organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Gurra” (foto poshtë).

Nga kontrolli fizik i kryer ndaj ketij shtetasi në lagjen që mban emrin “Gurra” në Lezhë, shërbimet e policisë gjetën një sasi lënde narkotike cannabis sativa, të ndarë në doza, të gatshme për shitje. Më tej, në banesën e këtij shtetasi, në të njëjtën lagje u gjetën 7 maska, të cilat dyshohet se posedoheshin për qëllime kriminale, 2 mjete prerëse (thika) dhe 2 përforcues grushti.

Pasi Eduard Koka humbi jetën për shkak të gjendjes së tij shëndetësore të përkeqësuar, duke pasur probleme me frymëmarrjen dhe temperaturë të lartë, Policia dhe Prokuroria e Shkodrës po hetojnë për të zbardhur të plota shkaqet e ndarjes nga jeta të 45-vjeçarit, teksa edhe familjarët kërkuan sqarime. /ZOOM.AL/