Aplikacion
Tre ditë nga paraqitja në GJKKO dhe SPAK bashkë me avokatin, organi i akuzës konfirmoi sot se me vendim të gjykatës u pranua kërkesa e sekuestros preventive të një apartamenti në “Lungomare” Vlorë, i hedhur në emër të një kompanie ndërtimi, në pronësi po të Tushes. Ish-zyrtari nuk e ka justifikuar dot veprimin, teksa nuk e kishte deklaruar asnjëherë gjatë kohës kur mbante postin dhe e kishte detyrim. Pas hetimeve u zbulua se ky apartament “fantazmë” ishte i tiji, i përmasave 4 plus 1.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njoftoi sot se po kryen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 199/1, të vitit 2021, i ndarë nga procedimi penal nr. 199/2020, për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2, i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Fatos Tushe, me detyrë ish-Kryetar i Bashkisë Lushnjë.
“Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin Nr. 136, datë 29.02.2024, ka vendosur:
1-Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
2-Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme të identifikuar si “Pasuria Nr. 40/267/4+1-21, Z.K 8602, lloji i pasurisë “apartament”, me sipërfaqe 75.3 m2, me vendodhje në Lungomare, Vlorë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Hetuesit Financiarë dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, mësohet se kanë marrë masat për ekzekutimin e Urdhërit të Prokurorisë së Posaçme datë 04.03.2024, nxjerrë mbi bazën e vendimit penal të mësipërm të marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
“Nga hetimi paraprak i kryer në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se, personi nën hetim Fatos Tushe, gjatë kohës që ka ushtruar detyrën e Kryetarit të Bashkisë Lushnje, nuk ka deklaruar apartamentin në Lungomare Vlorë, pasuri e cila është e regjistruar në emrin e një kompanie që operon në fushën e ndërtimeve, por që posedohet nga personi nën hetim. Nga ana jonë vijojnë veprimet proceduriale për vërtetimin e akuzës në hetim”, sqaroi SPAK mbi këtë dosje. /ZOOM.AL/