zoom

Bota

Ish-këshilltari i Ramës paralajmëron: Serbët mund të rezistojnë me armë në 1 shtator

Analisti politik nga Prishtina, Shkëlzen Maliqi, i cili ka qenë edhe këshilltar i kryeministri Edi Rama për rajonin, ka thënë se me 1 shtator, kur Qeveria e Kosovës nis zbatimin e reciprocitetit ndaj Serbisë për çështjen e targave dhe dokumentacionit, një rezistencë e armatosur nga serbët është e mundshme.

Duke folur për gazetën serbe “Danas”, ka thënë se Kosova ka mbështetjen e perëndimit për çështjen reciprocitetit.

“Për 1 shtatorin Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar nisjen e implementimit të reciprocitetit në kalimet kufitare, gjë e cila do të nxisë edhe një herë rezistencë të armatosur nga serbët. Masat e reciprocitetit të Kosovës qartazi kanë mbështetjen e Perëndimit, kështu që Vuçiçit nuk i është lënë hapësirë për të kërkuar një zgjidhje tjetër”, ka thënë ai për median serbe.

Sipas Maliqit, Beogradit po i kërkohet që ta njoh realitetin.

“Duket se Beogradit po i bëhet presion që ta njoh realitetin, nëse jo drejtpërdrejt pavarësinë e Kosovës, sepse është shumë herët, atëherë ta njoh realitetin mbi reciprocitetin”, ka thënë ai.

Maliqi u shpreh se Vuçiç nuk mund ta luajë me levën e dualitetit, duke qëndruar mes Perëndimit dhe Moskës.

“Perëndimi po i kërkon që ta marr një vendim: a dëshiron të futet në BE apo të mbajë lidhje të ngushta ekonomike, politiken dhe ushtarake me Rusinë”, ka thënë ai me tej.