zoom

Bota

Ischinger: Të mos habitemi kur Trump anashkalon Europën. Sa kohë që një anëtar i BE mund të vendosë veto, atëherë natën e mirë

Wolfgang Ischinger, ish-drejtuesi i Konferencës së Sigurisë në Mynih dhe ish-negociatori i BE për statusin e Kosovës në të ashtuquajturën Trojka, në intervistë për Deutschlandfunk ka folur për ndryshimet që duhet të bëjë BE, në mënyrë që të fuqizohet si faktor në politikën e sigurisë në botë, ndërkohë që Amerika duket se po e braktis Kontinentin e Vjetër.

“Ne japim e do të japim para për mbrojtjen, po ajo që mungon ende është aftësia e Europës që të shihet si aktor politik sigurie për t’u respektuar”, thotë Ischinger.

“Kemi se BE nuk luante rol në konfliktet e viteve të fundit, si për shembull në Lindjen e Mesme. Prandaj nuk ka pse të na habisë që Donald Trump, në përpjekjen për të zgjidhur konfliktin e Ukrainës, nuk e sheh të nevojshme që të përfshijë BE apo vendet partnere në Europë, nënvizon diplomati i njohur.

Sipas tij Europa duhet të ndryshojë thelbin e vendimmarrjes, nga një bashkësi ku çdo anëtar mund të pengojë me veto në një bashkësi ku vendos shumica.

“Mungon faktori Europë, e do t’ia dalim nëse në Europë mundësohen vendimet e marra me shumicë në çështjet e sigurisë e politikës së jashtme. Nëse gjithmonë do të varemi nga ajo, që ndonjë anëtar i BE të vendosë veto, atëherë natën e mirë”, – shprehet Ischinger.

Po ashtu, diplomati thotë se Europa e Bashkuar duhet të pranojë idenë e presidentit Macron që Franca të sigurojë një mburojë bërthamore.

“BE-ja duhet të pranojë ofertën e një mburoje franceze të armëve bërthamore”, thotë Wolfgang Ischinger, duke theksuar se “Britania e Madhe dhe Turqia janë gjithashtu partnerë të domosdoshëm për një koncept sigurie”.

Ashtu si Ischinger të shumtë janë analistët që sugjerojnë një ndryshim të qasjes së Europës në politikën e jashtme dhe të brendshme, me fokus sigurinë, pas ndarjes që ka krijuar me Amerikën ardhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. /Zoom.al

Postime të lidhura