Aplikacion
Ben Houchen nuk e ka deklaruar në regjistrin e interesave, siç përcaktojnë rregullat shtetërore, udhëtimin e biznesit ku ai u takua me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Gazeta britanike Yorkshire Post shkruan se udhëtimi i tij me avion u pagua nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë. Aeroporti i Tiranës e ka përgënjeshtruar lajmin e Yorkshire Post, siç raportojnë disa media vendase, por derisa të hidhet dritë mbi të vërtetën, vizita po prodhon një debat të fortë politik në Angli, që ka përfshirë edhe parlamentin.
Bashkia e Tees Valley deklaroi se Houchen kishte shpenzuar vetëm 1455.76 paund gjatë udhëtimit të tij në Tiranë dhe se ligji nuk e detyronte atë ta raportonte vizitën e biznesit, pasi deklaratat bëheshin për shpenzime mbi 1500 paund.
“Kryetari i Tees Valley përfaqësoi Autoritetin e Kombinuar të Tees Valley në një udhëtim zyrtar pune. Ky udhëtim u organizua nga Autoriteti i Kombinuar i Tees Valley dhe nuk ka asnjë kërkesë që kjo të regjistrohet”- tha një zyrtar i bashkisë për Yorkshire Post.
Por ai nuk tregoi se kush i pagoi biletat dhe shpenzime te tjera.
Në Britaninë e Madhe mediat, institucionet dhe politika po investigojnë për këtë udhëtim të konservatorit Houchen.
Çështja pritet të shkaktojë debat politik edhe në Shqipëri, nëse opozita vendos të zgjohet dhe të ndjekë si shpenzohen paratë e shqiptarëve.
Pyetja se kush e pagoi biletën ngre një sërë dyshimesh të tjera, për të cilat, opozita në veçanti do të duhet të kërkojë të marrë përgjigje.
Nëse udhëtimi i Houchen nuk është paguar nga Aeroporti i Tiranës, kush pagoi për kryebashkiakun që dyshohet se është përfshirë me disa afera që e lidhin me shqiptarët?
A u pagua udhëtimi me paratë e shqiptarëve nga Rama apo njerëz të tjerë pranë tij?
Çfarë e lidh kryebashkiakun e Tees Valley, një bashki në verilindje të Anglisë, me kryeministrin shqiptar Rama dhe kryebashkiakun shqiptar të Tiranës, Erion Veliaj?
Opozita do të duhet jo vetëm të hedhë dritë mbi këtë lidhje, por edhe të kuptojë përmes debatit që po zhvillohet në Angli për një biletë avioni, se si ajo ka neglizhuar për një kohë të gjatë një tjetër çështje skandaloze, atë të përdorimit të një avioni luksoz nga kryeministri i Shqipërisë.
Edi Rama po udhëton prej të paktën 3 vjetësh me një avion “charter” me kosto marramendëse që nuk është ende e qartë se kush e paguan. Opozita ka bërë vetëm disa deklarata, por nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për t’u treguar shqiptarëve se me çfarë parash paguhen udhëtimet që kushtojnë deri në 15 mijë euro ora. Ajo nuk ka ndërmarrë po ashtu asnjë hap për të zbuluar se si përfundoi avioni i qeverisë turke në dorë të kryeministrit Rama.
Përsa u përket lidhjeve të kryebashkiakut të Tees Valley me shqiptarët, mediat britanike kanë bërë deri tani disa zbulime.
LIDHJET E HOUCHEN ME SHIQPTARËT
Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Houchen shoqërohej nga një zyrtar i shtypit i bashkisë, CEO kompanisë Teesworks, Martin Corney, dhe dhëndri shqiptar i Corney, Orion Kotrri.
“Corney është një biznesmen që bleu 90% të aksioneve në kompaninë publike-private, Teesworks Ltd, që me sa duket pa pasur nevojë të investonte asnjë qindarkë” shkruan Yorkshire Post.
Ndërsa shqiptari Kotrri është përgjegjës për heqjen e skrapit nga kantieri gjigant që përmban ish -fabrikën e çelikut Redcar. Vlera e skrapit të hequr deri tani përllogaritet në 90 milionë paund, ndërsa ka ende më shumë për t’u përpunuar.
Nuk është e qartë se për çfarë arsye Corney dhe Kotrri ishin në udhëtim, dhe bashkia e Tees Valley refuzoi të shpjegojë praninë e tyre. Kompania Teesworks nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga Yorkshire Post.
Refuzimi i shpjegimeve hedh dyshime se shqiptari Kotrri mund të ketë qenë pika e kontaktit mes kryebashkiakut të Tees Valley me kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj.
Bashkia e Tees Valley gjithashtu ka refuzuar t’i sigurojë The Yorkshire Post një itinerar të plotë të udhëtimit, pavarësisht mospërputhjeve që shfaqen në raportet online të vizitës nga ajo kohë. Ndërsa bashkia e Tees Valley lëshoi një deklaratë për shtyp më 17 qershor 2022 duke festuar takimin e Houchen me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, kryebashkiaku shqiptar ndau një video të takimit një ditë më parë.
Mediat në Angli shkruajnë se qeveria britanike nisi disa ditë më parë një hetim për cështjen e shitjes së skrapit, që përllogaritet në 500 mijë tonë. Marrëveshja me biznesmenët Martin Cotney dhe Chris Musgrave u bë nga kryebashkiaku Houchen, pa tender.
Laburistët në opozitë thonë se marrëveshja u ka shkaktuar qytetarëve miliona paund dëme.
Ndërsa kompanitë e kontrolluara nga Corney dhe Musgrave kanë fituar të paktën 45 milionë paund në dividentë nga projekti në tre vitet e fundit, nuk ka asnjë provë që ata kanë investuar në të deri më sot.
UDHËTIMI NË TIRANË DHE TAKIMET ME RAMËN E VELIAJN
Kryetari i bashkisë së Tees Valley mbërriti në Tiranë më 14 qershor 2022. Ai u takua me kryeministrin Edi Rama në zyrën e tij në ndërtesën e qeverisë.
“Zoti Rama na ofroi mundësi emocionuese për rajonin, për të punuar së bashku me qeverinë shqiptare për hapjen e vendeve të punës dhe rritjen e investimeve në të dy vendet,” tha Houchen në një deklaratë pas vizitës.
Ai zbuloi se ftesa për të vizituar Tiranën dhe për takimet i ishte bërë nga qeveria shqiptare “për të marrë përsipër këtë mission tregtar dhe për të takuar kreun e qeverisë shqiptare”.
“Ne duhet të jemi gati për të kapur mundësi të reja, partnerë tregtarë dhe me të dyja duart dhe kjo është pikërisht ajo që kam bërë këtu – dhe pa kosto për taksapaguesit në Mbretërinë e Bashkuar. Tashmë janë vendosur themelet që ne të ndërtojmë një marrëdhënie të fortë, reciprokisht të dobishme dhe jam i emocionuar të shoh se çfarë mund të sjellëë e ardhmja,” deklaroi Houchen.
Do të kalonin 3 ditë nga takimi që Houchen të pritej në një vizitë edhe nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
Nuk është e qartë axhenda e tij mes këtyre dy takimeve. Houchen mësohet se ka vizituar disa vende në Tiranë për të parë mundësinë e zhvillimit të disa projekteve, por nuk zbuloi se cilat vende as për çfarë projektesh bëhet fjalë.
Bashkia e Tiranës njoftoi se Veliaj dhe Houchen kishin diskutuar për projekte koncesionare. /Zoom.al