zoom

Ekonomi

Interesat e kredisë për shtëpi në Lekë ranë përsëri në dhjetor

Normat e interesit të kredisë për shtëpi pësuan përsëri rënie në dhjetor dhe prekën nivelin më të ulët të të gjithë vitit 2023. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Lekë në dhjetor të vitit të kaluar zbriti në 4.85%.

Ky nivel është vetëm 0.2 pikë përqindje më i lartë krahasuar fundin e vitit 2022. Por, nga ana tjetër, normat e interesit në muajt e fundit të vitit ndoqën një tendencë të vazhdueshme në rënie, duke nxitur rritje të ndjeshme të kreditimit në monedhën vendase.

Për të gjithë vitin 2023, kredia e re arriti vlerën rekord të pothuajse 319 miliardë lekëve, në rritje me 14.5% krahasuar me vitin 2022. Jo rastësisht rritja e kredisë së re erdhi e gjitha në Lekë.

Vitin e kaluar, sektori bankar disbursoi 179.7 miliardë lekë kredi të reja në monedhën vendase, me rritje prej pothuajse 35% krahasuar me një vit më parë.

Veç kredidhënies së re, shifrat e kredisë në Lekë përfshijnë edhe një vlerë të konsiderueshme të huave në valutë që kredimarrësit vendosin t’i konvertojnë në monedhën vendase, për shkak të kursit të ulët të këmbimit dhe normave më të favorshme të interesit.

Shifrat e rritjes janë edhe më të larta në segmentin specifik të kredisë për shtëpi. Kredia e re për blerje banesash vitin e kaluar arriti rekordin e ri historik prej 48.5 miliardë lekësh ose rreth 466 milionë eurosh.

Normat relativisht të ulëta të interesit kanë bërë që kredia për shtëpi të rritet sidomos në monedhën vendase. Kredia e re për shtëpi në Lekë vitin e kaluar arriti në 30.2 miliardë lekë, në rritje me 36% krahasuar me një vit më parë. Kredia në monedhën vendase përbënte më shumë se 62% të disbursimeve të reja për këtë produkt.

Frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar ndikoi në korrektimin e rritjes tepër të lartë që yield-et e bonove dhe obligacioneve kishin shënuar në gjysmën e dytë të vitit 2022.

Yield-et pësuan rënie në gjysmën e parë të vitit 2023, ndërsa ishin në përgjithësi të qëndrueshme në pjesën e dytë, sidomos për instrumentet afatshkurtra. Kjo solli një ndikim direkt edhe në interesat e kredive në Lekë, që në përgjithësi kuotohen mbështetur mbi interesin e bonove të thesarit.

Ndërkohë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Euro arriti në 5.2% në dhjetor 2023, nga 4.44% që kishte qenë në fund të vitit 2022.

Te kredia në Euro gjatë vitit të kaluar u vërejt një tendencë rritjeje graduale e normave, duke reflektuar shtrëngimin monetar të Bankës Qendrore Europiane dhe rritjen e treguesit benchmark, Euriborit 12-mujor.

Diferenca mes normës mesatare të interesit për kreditë në Euro dhe ato në Lekë arriti nivelin më të lartë historik, me 0.35 pikë përqindje më shumë.

Sidoqoftë, për huamarrësit me të ardhura në Lekë, rritja e normave të interesit të Euros është balancuar nga zhvlerësimi i monedhës europiane në kursin e këmbimit. Në fund të vitit 2023, kursi i këmbimit Euro-Lek shënoi një rënie vjetore me 9.1%.

Historikisht, normat e interesit për kreditë në Euro kanë qenë më të ulëta se ato në Lekë, duke reflektuar sidomos normat më të ulëta që ka aplikuar Banka Qendrore Europiane. Por, vitin e kaluar raportet ndryshuan. Banka Qendrore Europiane ndërmori një rritje agresive të normave të interesit deri në nivelin maksimal historik prej 4.5%. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë e ngadalësoi rritjen dhe e mbylli vitin në nivelin 3.25%./ Monitor.al