zoom

Aktualitet

INSTAT publikon shifrat/ Rriten akidentet në shtatëmujorin e 2021

Pavarësisht se muaji korrik i këtij vitit ishte më i gjallëruar se e njëjta periudhe e vitit të kaluar për shkak të lehtësimit të masave kufizuese anti-Covid nga vendet e rajonit dhe ato të BE-së, numri i aksidenteve në rrugët e Shqipërisë u ul me 12.3 për qind.

INSTAT thotë se në korrik u regjistruan 114 aksidente rrugore, nga 130 të tilla të regjistruara në korrik të 2020.

Por, pavarësisht uljes së numrit të aksidenteve, numri i viktimave është thuajse i njëjtë. Në korrik 2021 u regjistruan 13 të vdekur nga aksidentet rrugore dhe 162 të plagosur, nga 14 të vdekur dhe 154 të plagosur të korrikut 2020.

Në periudhë shtatëmujore, INSTAT thotë se në 2021 aksidentet janë rritur me 23.6 për qind në krahasim me 2020, ku muaji me rritjen më të lartë është muaji qershor. Në total, në këtë periudhë janë regjistruar 785 aksidente rrugore, nga 635 të regjistruara në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku në mars, prill e maj lëvizja u kufizua drastikisht.

Në shtatëmujorin e 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 118 persona nga 88 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në thuajse 96 për qind të rasteve aksidentet kanë ndodhur për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesve të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grupmosha 25–34 vjeç, duke zënë 27,2 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Sipas shifrave të INSTAT vërehet një rritje e numrit të aksidenteve rrugore të shkaktuara nga këmbësorët me 20.6 për qind në krahasim me një vit më parë. Qarku që kryeson për nga numri i aksidenteve është Tirana, ndjekur në vendin e dytë nga Lezha.