zoom

Ekonomi

Inflacioni në Shqipëri po ndihmon qarkullimin e parasë së zezë

Inflacioni i qëndrueshëm në Shqipëri për më shumë se një vit, ka “lehtësuar” qarkullimin e parasë së zezë dhe ka krijuar hapësirë për informalitet.

Ky është konkluzioni i një studimi të fundit nga qendra kërkimore Altax, në Shqipëri. Qendra e profesionistëve të ekonomisë thotë se nuk mjafton që këto t’i luftojë vetëm Banka e Shqipërisë, por të gjitha institucionet, para se të dështojë e gjithë politika e ndjekur deri më tani.

Paraja e zezë e ndërthurur me informalitetin dhe ndikimet nga inflacioni dhe kursi i këmbimit mbivlerësues për lekun nënkupton një humbje të konsiderueshme të të ardhurave për qeverinë, të cilat mund të përdoren për të nxitur rritjen ekonomike, por edhe humbje për shumicën e qytetarëve që janë lënë të lirë të zgjedhin euron si një monedhë e besueshme për kursimet dhe transaksionet e përditshme.

Nga gjithë sa vërehet në të paktën dy vitet e fundit, duket se ekonomia shqiptare është ende mjaft e vogël për të përthithur nivele të larta të prurjeve të parave. Në këtë mes nevojitet, që përpara se të ndërmerren politikat të jenë studiuar dhe përshtatur më së miri me kontekstin ku do të aplikohen. Në të gjitha rastet duhet që nismat dhe politikat të mos ndikojnë mbi strukturën dhe status quo-në ekzistuese.

Paraja e zezë në rastin më të mirë mund të veprojë si një simulant apo qetësues që i jep një shtysë të përkohshme rritjes ekonomike.

Varësia e zgjatur nga ajo mund të lërë efekte të dëmshme për vendin dhe popullin. Ndërkohë, nga shqyrtimi i shembujve për vende të vogla ku Banka Qendrore ka ndërhyrë në tregun e këmbimit, ka rezultuar se zhvlerësimi i një monedhe është një armë tepër e fuqishme për të mbrojtur kompanitë vendase nga konkurrentët e huaj.

Ai vepron si një subvencion për eksportuesit dhe si një detyrë për importuesit dhe i bën më të lira produktet e prodhimit vendas dhe më të shtrenjta produktet nga jashtë.

Kështu, prodhuesit vendas mund të shesin më shumë jashtë vendit, dhe klientët vendas do të blejnë më pak mallra dhe shërbime të importuara.

Në fakt, një qasje më proaktive do të siguronte që rritja të ishte më gjithëpërfshirëse dhe si e tillë nuk do t’i anashkalonte profesionet e tjera nga procesi i zhvillimit të vendit. Mbivlerësimi i profesionistëve të vetëm një sektori dhe industrisë që lidhet me të në disfavor të profesioneve të tjera, të cilat nuk gjejnë vetveten në procesin e planifikimit dhe ndarjes së buxhetit publik dhe fondeve të tjera të huaja jep ndikimet e veta në zhvillimin jo të qëndrueshëm.

Moszhvillimi i sektorëve të tjerë njësoj si ndërtimit ndikon në masën e vet jo të pakët te varfëria, pasiviteti ekonomik, boshllëqet në përzgjedhjen e degëve në edukimin e të rinjve. Lidhja e njerëzve me mundësitë që ekzistojnë në tregun e punës përmes arsimimit, diversifikimit dhe mbështetjes më të mirë të punësimit bazuar te gjithpërfshirja e sektorëve në procesin e të bërit të ekonomisë sot dhe në të ardhmen është jetike. Pasi me këtë qasje të ndryshme nga mendësia aktuale vjen si rrjedhojë edhe ulja e varfërisë përmes vendeve të punës me bazë të qëndruershme, profesionalizimit të mëtejshëm, si dhe përmirësimit të tregut të punës dhe aftësive për të arritur të bëhemi të konkurueshëm jo në politika dhe strategji, por në zbatimin e tyre në jetën e përditshme. Perspektiva është ende subjekt i pasigurisë së lartë.

Rritja më e ngadaltë se sa pritej e partnerëve tregtarë të Shqipërisë mund të ndikojë në eksportet dhe rritjen në Shqipëri. Inflacioni mund të jetë më i vazhdueshëm, mes tregjeve të shtrënguara të punës dhe rritjeve të konsiderueshme të pagave në sektorin publik që përfitojnë nga kontributet e taksave dhe sjellin një rritje pasive për konsumin. Rritja e faturës së pagave të sektorit publik edhe pse nuk do të ndodhë e gjitha brenda vitit buxhetor 2023 duhet të shoqërohet me masa domethënëse të të ardhurave dhe rritje të efikasitetit të sektorit publik dhe të mos rrezikojë objektivat afatmesme të konsolidimit fiskal.

Politika për të luftuar inflacionin konsiderohet se i përket Bankës së Shqipërisë, por në një ekonomi me informalitet të lartë ajo duhet të konsiderohet gjithpërfshirëse mes gjithë institucioneve është kritike, veçanërisht për të mbrojtur familjet dhe bizneset e cenueshme. Bizneset duhen mbrojtur nga konkurenca e pandershme prej inflacionit informal dhe parasë së zezë, por edhe familjet po ashtu duhen mbrojtur prej po të njëjtave fenomene. Nëse inflacioni rezulton ashtu si në 6-mujorin e parë 2023, ritmi i reformave dhe politikat e hartuara do të shikojnë mospërmbushje të objektivave të tyre.

 

Postime të lidhura