Aplikacion
Në një venddepozitim të paligjshëm buzë lumit Shkumbin në fshatin Bradashesh, 3 kilometra larg nga inceneratori, BIRN filmoi me 1 Mars një makinë të bashkisë Elbasan duke depozituar mbetje urbane.
Sipas banorëve të zonës, pjesë e një lagje periferike pranë kombinatit Metalurgjik, ky akt i paligjshëm që përbën krim mjedisor ndodh rëndom, pasi kjo nuk është hera e parë që makina me mbishkrimin “Bashkia Elbasan” derdhin mbetje buzë lumit. Mbetjeve u vihet flaka natën duke lëshuar shtëllunga me tym të zi mbi fshat.
“Mbi 1 vit e gjys që ne kemi kapur shoferë që thonë jemi me urdhër të bashkisë dhe vazhdojnë çdo ditë që derdhen mbeturinat këtu tek njësia e Bradasheshit. Jemi ankuar në polici, jemi ankuar te prefektura te ato të mjedisit, kanë ardhur para një viti, kanë bërë disa video kanë ikur dhe asgjë nuk kanë bërë deri tani siç e shihni edhe vetë,” tha një banor i zonës në kushtet e anonimatit.
I pyetur nga BIRN nëpërmjet telefonit, kryebashkiaku i Elbasanit Gentjan Llatja, mohoi që mbetjet depozitoheshin në breg të Shkumbinit nga mjetet e bashkisë.
“Nuk besoj që ka ndodhur. Nëse ka ndodhur, do merren masa ndaj personave që e kanë bërë,” tha Llatja përmes një bisede telefonike.
Të pyetur nga BIRN se pse po i derdhin mbetjet buzë lumit, që me sy të lirë dukeshin një përzierje plastike e druri, shoferi i kamionit u përgjigj jashtë kamerave se aty kishte urdhër t’i dërgonte.
Inceneratori i Elbasanit u ka kushtuar taksapaguesve 26 milionë euro. Ai u ndërtua nëpërmjet një kontrate të dyshimtë partneriteti publik privat që ka dërguar pas hekura me akuza për korrupsion dhe pastrim parash 10 persona, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist Alqi Bllako. Djegësi i mbetjeve u vendos në sekuestro preventive nga Gjykata në vitin 2021 dhe tani administrohet nga një kompani publike në pronësi të bashkive të qarkut Elbasan. Por megjithë përpjekjet e kësaj kompanie për ta rivënë në punë, impianti vazhdon të jetë jashtë funksioni.
Sipas ekspertit mjedisor, Rodion Gjoka nga Instituti Co-Plan, situata e trajtimit të mbetjeve vazhdon të mbetet e rëndë.
“Nëse duam të kontekstualizojmë pak situatën me mbetjet, është sikur pluhurat e shtëpisë t’i fshijmë poshtë tapetit, këtë po bëjmë edhe ne në Shqipëri në raport me mbetjet. Kjo është situata me mjedisin në Shqipëri, mund të bëhet propagandë e gjelbër nga mëngjesi deri në darkë, por fshati që duket nuk do kallauz,” tha Gjoka.
Sipas ekspertëve, në vend mungojnë zgjidhjet efektive dhe nuk po zbatohen politikat e duhura për menaxhimin e mbetjeve, një sektor që tashmë është shënjuar nga keqmenaxhimi i fondeve publike dhe akuzat për korrupsion dhe shpërdorim të miliona eurove./BIRN