zoom

Aktualitet

Inceneratori i Tiranës, edhe kryebashkiakja e Durrësit Emirjana Sako paraqitet në SPAK për dëshmi

Pas Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë Engjëll Agaçi dhe ministres Belinda Balluku, ka qenë radha e kryebashkiakes së Durrësit që të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme.

Kryetarja Emirjana Sako u pa teksa hynte në godinën e SPAK pak më parë.

Mësohet se ajo është thirrur nga prokurorët, për të dhënë shpjegime rreth inceneratorit të Tiranës.

Bëhet fjalë për mbetjet e Durrësit që do përpunoheshin apo ricikloheshin në atë të Sharrës. Prokuroria ka intensifikuar hetimet për dosjen e nxehtë, teksa në qendër të investigimit dhe denoncimit nga opozita është kryebashkiaku Erjon Veliaj.

Ai dyshohet se ka xhiruar miliona euro nga buxheti pa u kryer asnjë punë riciklimi mbetjesh apo djegieje. Gjithashtu edhe për procesin e ndërtimit, duke anashkaluar procedurat.

Disa drejtorë të bashkisë janë aktualisht në qeli apo të akuzuar për dosjen e inceneratorit dhe tenderave të ndryshëm, me paratë e buxhetit. Opozita nga ana tjetër zhvillon prej gati dy muajsh protesta me molotov dhe kërkon dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj. /ZOOM.AL/