zoom

In Zoom

Inceneratori i Elbasanit kërkon licensë për të prodhuar energji sa për 1 familje për 3 muaj

Shoqëria Eco-Alb ka kërkuar pranë Entit Rregullator të Energjisë rinovim të licensës së saj për prodhimin e energjisë, në një kapacitet deri 2.850 kilovat, për të paktën 2 vite. Asgjë që nuk shkon deri këtu!

Paradoksi nis kur kujtojmë se Eco-Alb është emri tregtar i inceneratorit të Elbasanit, me akioner 100% Bashkinë e Elbasanit, të cilit në fillim të këtij viti i skadoi licensa e marrë nga i njëjti Ent, dy vite më parë, për të njëjtin qëllim. I njëjti incenerator që raporte dhe dëshmi e tregojnë si jofunksional.

“Prodhim energjie nga përpunimi i mbetjeve urbane”, është qëllimi dhe funksioni i supozuar i kësaj license që i ka kushtuar buxhetit të shtetit 24 mln euro, ndonëse nuk e ka arritur asnjëherë. Sipas të dhënave, në vitin 2020, inceneratori i Elbasanit menaxhoi vetëm 11% të mbetjeve totale që kishte në përgjegjësi, sasi e papërfillshme. Pjesa tjetër e tyre është depozituar në landfille.

Sipas burimeve të sigurta për Zoom.al, ditën e sotme (4 prill) këshilli i ERE ka shqyrtuar kërkesën e Eco-Alb dhe ka nisur procedurat e pranimit, për t’i rinovuar më tej licencën.

Paradoksi kthehet në një situatë qesharake kur shikojmë shifrat e kapacitetit të energjisë që shoqëria pretendon të prodhojë për të paktën 2 vite. Nëse i referohemi shifrave të ERE-s për raportet vjetore, 2.850 Kw është mesatarja 3 mujore e konsumit të një familje.

Inceneratori i Elbasanit, hetimi për të cilin ende nuk është mbyllur, ka burgosur dy zyrtarë, ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist Alqi Bllako, për përfitim të miliona eurove.

Nën hetim është edhe ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, për akuza të ngjashme lidhur me inceneratorët.

Pak ditë më parë, ministria e Energjisë i dërgoi Sekretariatit të Energjisë në Vjenë, një dokument bosh për inceneratorët, ku nuk i jepte informacionet e kërkuara nga autoriteti europian./Zoom.al