Aplikacion
Sipas projektbuxhetit 2025, ky projekt financohet me 9% të totalit të pagesave për koncesionet PPP që marrin financim nga buxheti.
Për vitin 2025, kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat konçesionare/PPP, prej 5% i të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2024, është rreth 32.8 miliardë lekë
Për vitin 2025, pagesat vjetore neto që parashikohet të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare/PPP, kapin vlerën rreth 14.2 miliardë lekë me rritje vjetore 1.4% në krahasim me 2024.
Nga fillimi i janarit deri më datën 13 shtator, sipas të dhënave të Open Data Albania (transaksionet e thesarit) buxheti 2024 pagoi ndaj Integrated një shumë prej 1,041,300,047 lekësh (10 milionë euro).
Të dhënat tregojnë se pagesat ndaj inceneratorit po intensifikohen. Deri në 24 korrik ishin paguar 7 milionë euro, ndërsa në vetëm 40 ditë janë paguar edhe 3 milionë euro të tjera duke e çuar financimin e buxhetit të shtetit në total për këtë objekt mbi 7,2 miliardë lekë (72 milionë euro).
Siç tregojnë faturat e detajuara të thesarit pagesat bëhen ndaj integrated, e cila është në administrim të shtetit, për shkak të akuzave që ngriti SPAK për një aferë të madhe korruptive.
Ndaj administratorit shtet paguhen fatura për ndërtimin e inceneratorit, punimet e të cilit nuk kanë filluar. Megjithëse ekzistojnë ligje, udhëzime, rregulla dhe struktura ligjore që pengojnë çeljen e fondeve nëse nuk ka fatura punimesh sërish pagesat vazhdojnë, duke prodhuar një dëm material dhe moral ndaj taksapaguesve shqiptare.
Ministria e Financave thotë se në buxhetin 2025 respektohet kufizimi ligjor në zbatim të rregullit fiskal respektiv, pasi vlera e parashikuar prej rreth 14.2 miliardë lekë për pagesat vjetore neto të kontratave koncesionare apo PPP për vitin 2025, përbën vetëm 2.2% të totalit të të ardhurave tatimore të pritshme për vitin 2024 prej rreth 655.7 miliardë lekë.
Fondet buxhetore të alokuara sipas planit me ndryshime për vitin 2024 të raportuar nga autoritetet kontraktore përkatëse, me destinacion mbështetjen buxhetore për kontratat koncesionare/PPP, rezultojnë në total rreth 14 miliardë lekë. Nga këto, rreth 5.9 miliardë lekë investime dhe rreth 8.1 miliardë lekë shpenzime korente.
Krahasuar me pagesat faktike të vitit 2023, të cilat arritën vlerën rreth 12.7 miliardë lekë, pagesat e planifikuara për vitin 2024 janë rreth 10.8% më të larta ose rreth 1.4 miliardë lekë më shumë.
Pagesat faktike për periudhën 9-mujore 2024 rezultojnë në masën rreth 9.3 miliardë lekë ose 66.5% e planit vjetor me ndryshime të vitit 2024. Nga këto, niveli më i lartë ipagesave është realizuar në muajin gusht me rreth 1.9 miliardë lekë ose 20.6% të pagesave faktike 9-mujore.