zoom

Aktualitet

I vranë djalin dhe vëllanë, flet nëna e Aleksandër Sadikajt: Policia ka emrat e autorëve

Pas më shumë se 80 ditësh pas vrasjes së trefishtë të ndodhur në Memaliaj, ende policia dhe organet ligjzbatuese nuk kanë një emër konkret apo të dyshuar si autor të kësaj ngjarje.

Silvana Kalemi, nëna e Aleksandër Sadikajt që u vra më 11 qershor 2022 pranë TEG në Tiranë dhe njëkohësisht motra e Shyqyri Kalemit vrarë më 20 korrik 2024, së bashku me dy të tjerë, thotë se i ka dhënë policisë emrat e autorëve apo porositësve të të dyja vrasjeve.

“Sot do t’ju drejtohjem si nëna e Aleksandër Sadikaj dhe motra e Shyqyri Kalemit. Ne jemi të pafuqishëm që të ndryshojmë atë që ndodhi, por ne kemi besim tek drejtësia e shtetit shqiptar, në mënyrë që institucionet kompetente të vënë para përgjegjësisë autorët e këtij akti të rëndë. Ne i kemi dërguar me emra në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Kemi besim tek policia e shtetit dhe drehjtësia do të vihet në vend. Kanë qenë 3 ose 4 persona me makinë me xhama të errët është hapur xhami dhe kanë qëlluar dhe janë parë nga larg, Policia e Shtetit është në dijeni. I kemi raportuar të gjitha kush janë dhe nga janë. Unë e kam bërë publike dhe e bëjë dhe tani Ledjon Hallushaj me shoqërinë e tij është autori i vrasjes së djalit tim”, tha ajo.

Ekzekutimi i Aleksandër Sadikaj, ekzekutuar me shpërthim me telekomandë që i ishte vendosur në makinë pranë TEG në Tiranë duket se ka sjellë edhe sagën e hakmarrjes që ka prodhuar deri tani më tepër se pesë viktima.

Edhe qytetarët e Memaliajt kërkojnë zbardhje sa më të shpejtë të ngjarjeve në mënyrë që të mos vijoje saga e vrasjeve dh e qyteti i vogel te jete edhe i sigurt.

“Këto gjëra nuk duhet që të përsëriten më. Askush nuk meriton që të sulmohet në atë mënyrë, është e papranueshme”, tha Pamela Maca.

Atentati i rëndë i ndodhur në Memaliaj natën e 20 korrikut la të vrarë objektivin e autorëve Shyqyri Kalemi, ndërsa u vranë edhe dy persona të pafajshëm kamarieri i lokalit Gledian Muka dhe klienti Marsel Cela.

Saga e vrasjeve

11 qershor 2022 – Aleksandër Sadikaj vritet në një shpërthim me telekomandë. 27 vjeçari ishte kushëriri i Kalemëve. Sadikaj po lëvizte me makinë në aksin e njohur si Sauk-TEG. Autorët dyshohet se kishin vënë një sasi të konsiderueshme prej 150 gramësh tritol të komanduar me telekomandë, në pjesën e përparme të makinës e cila është aktivizuar gjatë lëvizjes.

16 dhjetor 2022 – Gjashtë muaj më pas vritet në Tiranë biznesmeni sarandiot Edmond Papa.

Vrasja ishte hakmarrje për vrasjen e Sadikajt. Për ekzekutimin e tij i arrestuar është shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo, ndërsa në kërkim është shoku tjetër Andreë Bode. Në dosjen hetimore përmendet edhe emri i Kalemit.

Më 9 gusht 2023- Andrea Kalemi i shpëton atentatit në ishullin Pax të Greqisë, teksa kishte shkuar me pushime me 3 fëmijët dhe gruan e tij.

Më 14 dhjetor 2023- Andrea Kalemi plagoset me thikë në burgun “Koridhalos” në Greqi. Autori sipas mediave grekte kishte qenë një 28-vjeçar egjiptian.

Më 8 janar 2024- Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dorëzon në gjykatë dosjen penale ndaj Andreë Bodes dhe Albano Velos. Prokuroria thotë se Papa dyshohet se u vra në shenjë hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt i njohur si ‘Sanço’

Më 12 janar 2024- Tentohet të vritet vëllai i Andrea Kalemit i njohur dhe si Adriatik Kalemi. Nga një makinë në lëvizje u qëllua me kallashnikov drejt Smartit me të cilin po udhëtonte Zamir Kalemi. I riu mbeti i plagosur në këmbë.

Më 20 korrik 2024- Ekzekutohet në lokal Shyqo Kalemi, 74 vjeç babai i Andrea dhe Zamir Kalemit. Nga plumbat e kallashnikovit mbeti i vrarë dhe Gledio Muka dhe Marsel Çela.

Pas krimit autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës me një automjet të cilin dyshohet se e kanë djegur në fshatin Bejaj, Mallakastër.