zoom

Aktualitet

I përfshirë në trafik droge, përjashtohet nga Policia e Shtetit kryekomisari, Stilian Pasho

Kryekomisari Stiljan Pasho, i cili u arrestua si i akuzuar për trafik droge, është përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit.

Ai me detyrë Shef i Sektorit të Kufirit, në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë.

Kryekomisar akuzohet se duke përdorur detyrën e tij, në intervale të ndryshme, ka ndihmuar shtetasin Lorenc Lika të kalojë kufirin e Kapshticës, duke urdhëruar vartësit që të mos ushtrojnë kontroll në automjetin e tij.

Shefi i sektorit të kufirit në policinë e Korçës, u arrestua më 30 nentor 2023 nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore me akuzën se ka ndihmuar kalimin e një ngarkese me 26 kilogramë drogë, e cila kap në  Greqi.

Kryekomisari ka shoqëruar Lorenco Likën për të kaluar mjetin tip “Passat” nga pala shqiptare drejt kufirit grek, duke e kaluar edhe vetë kufirin në makinën ku ndodhej droga.

Pak metra brenda tokës greke, ai ka dalë nga mjeti, duke u kthyer mbrapsht, pasi u sigurua se lënda narkotike dhe Lorenc Lika kaluan pa pengesë në kufi.

Njoftimi:

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, pas hetimeve paraprake të kryera, i ka propozuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili e ka miratuar menjëherë, përjashtimin e punonjësit të Policisë, Kryekomisar Stiljan Pasho, me detyrë Shef i Sektorit të Kufirit, në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë.

Përjashtimi i menjëhershëm i tij u bë për shkelje të rëndë disiplinore të rregullores së Policisë së Shtetit, parashikuar nga neni 208 “Rastet e veprimeve korruptive”, pika 3 “Përdor pozitën e tij si punonjës i Policisë, për interesa private për vete ose për të tjerët’”, dhe nga neni 209 “Shkelja e rëndë e atributeve/kompetencave të Policisë”, pika 1 “Pa ndonjë arsye bindëse, nuk i përmbush apo dështon në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të caktuara, të cilat kanë shkaktuar pasoja të rënda në kryerjen e detyrave”.

Më datë 30.11.2023, Drejtoria Rajonale e AMP-së Elbasan–Korçë ndaloi punonjësin e Policisë Kryekomisar Stiljan Pasho, në kuadër të një procedimi penal të referuar nga Sektori i AMP-së, Korçë, për veprën “Trafikim i narkotikëve”.

Konkretisht, nga hetimet rezulton se Kryekomisar Stiljan Pasho, me veprime konkrete dhe të drejtperdrejta, si dhe duke përdorur detyrën e tij ne DVKM Korçë, në intervale të ndryshme, ka ndihmuar shtetasin L. L., të kalojë kufirin në PKK Kapshticë, pa iu nënshtruar kontrollit kufitar në automjetin e tij, dhe ka urdhëruar dhe vartësit e tij që të mos ushtrojnë kontroll.

Policia e Shteti mbetet e vendosur që në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me qytetarët, të largojë nga rradhët e saj, cilindo punonjës policie që abuzon me detyrën apo përfshihet në veprimtari kriminale.