zoom

Lajme

“I pafytyrë dhe frikacak”, Bardhi reagon ndaj Ramës: Do të kesh një fund të tmerrshëm

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar ndaj kryeministrit Rama pasi ky i fundit komentoi vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila dënoi me një vit burg deputetin demokrat Ervin Salianji.

Kryeministri Rama tha se sot u ushtrua për herë të parë nga gjykatat e vendit e drejta e sanksionuar në ligj për dënimin penal të kategorisë të cilën e quan “më të neveritshme të shpifjes, lidhur me një histori përmes një inskenimi kriminal kundër drejtuesit të procesit të Reformës në Drejtësi dhe vetë Partisë Socialiste”.

Salianjin, Rama e cilësoi një politikan të spikatur për veprimtarinë dizinformuese deri në formën kriminale të kallëzimit të rremë përmes një dosjeje me fabrikime provash e dëshmish të rreme.

Ndërsa Bardhi, me një reagim me tonë të forta e quan Ramën si të pafytyrë dhe frikacak, ndërsa thotë se do të ketë fund të tmerrshëm, që sipas deputetit demokrat, është i afërt.

“I pafytyrë dhe frikacak! Të gënjen mendja se do trimërohesh duke keqpërdorur gjykatat për të “frikësuar” e dënuar pa ligj e prova opozitën.

Ti je Kryeministri i vetëm në botë që bërë Ministër të Brendshëm vëllain e një trafikanti të dënuar droge nga një vend i BE!

Ti je i vetmi Kryeministër në botë që akuzohesh nga zëvendësi yt se ka një koordinator të posaçëm për marrëdhëniet me krimin e organizuar, i cili nesër pritet të emëroj Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Ti je i vetmi Kryeministër në botë që ke vëllain të dyshuar si trafikant droge.

Ti je i vetmi Kryeministër në botë që të trimëron dhe të mban në pushtet krimi i organizuar.

Ti je i vetmi Kryeministër në botë që bëre deputet e kryebashkiak trafikant droge, vrasës e përdhunues.

Do mbetesh unik në historinë botërore për fundin e tmerrshëm dhe të afër që të pret!”, shkruan Bardhi në rrjetet sociale.