zoom

Bota

“I moshuar me kujtesë të dobët”- Biden s’do të akuzohet për dokumentet e klasifikuara

Presidenti i SHBA Joe Biden ka mbajtur dhe zbuloi me dashje materiale të klasifikuara, por ai nuk do të akuzohet.

Raporti thotë se do të ishte e vështirë të dënohej pasi ai shfaqet si një “i moshuar me kujtesë të dobët”.

Hetimi filloi më shumë se një vit më parë pasi dokumente sekrete u gjetën në shtëpinë e Biden dhe në zyrën e mëparshme private.

Dosjet iu kthyen zyrtarëve amerikanë pasi u zbuluan.

Raporti i këshilltarit të posaçëm zbuloi për herë të parë se dokumentet ishin klasifikuar si Top Sekret, niveli më i lartë i sekretit dhe kishin të bënin me politikën ushtarake dhe të jashtme në Afganistan.

Dosjet përfshinin fletore që përmbanin shënimet e Biden në lidhje me sigurinë kombëtare dhe çështjet e politikës së jashtme “që implikojnë burime dhe metoda të ndjeshme të inteligjencës”.

Por raporti i Prokurorit Special të Departamentit të Drejtësisë, Robert Hur thotë: “Ne konkludojmë se provat nuk vërtetojnë fajin e Biden përtej një dyshimi të arsyeshëm. Ndjekja penale e zotit Biden është gjithashtu e pajustifikuar bazuar në shqyrtimin tonë të faktorëve rëndues dhe lehtësues”.

Kujtesa e Biden kishte ‘kufizime të rëndësishme’

Raporti prej 345 faqesh u publikua të enjten pasi Shtëpia e Bardhë tha se nuk do të kërkonte asnjë modifikim.

Hetuesit kryen 173 marrje ne pyetje me 147 dëshmitarë, duke përfshirë edhe vetë Presidentin Biden.

Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, Biden, 81 vjeç, tha: “Isha i kënaqur kur pashë se ata arritën në përfundimin se nuk do të ngriheshin akuza në këtë rast dhe çështja tani është mbyllur. “

Raporti i këshilltarit të posaçëm thotë se do të ishte e vështirë të dënohej presidenti për trajtimin e pahijshëm të dosjeve, sepse “në gjyq, Biden ka të ngjarë të paraqitet para një jurie, siç bëri gjatë intervistës sonë me të, si një dashamirës, ​​me qëllim të mirë, i moshuar me kujtesë të dobët”.

“Do të ishte e vështirë të bindesh një juri që duhet ta dënojë atë – deri atëherë një ish-president tashmë në të 80-at e tij për një krim të rëndë që kërkon një gjendje mendore të vullnetit.”

Raporti i Hur thoshte se kujtesa e zotit Biden dukej se kishte “kufizime të rëndësishme”. Ai nuk mund të kujtonte se kur ishte nënkryetar (nga 2009-2017), apo “madje brenda disa vitesh, kur djali i tij Beau vdiq” (2015).

“Dhe kujtesa e tij dukej e turbullt kur përshkruante debatin për Afganistanin që dikur ishte kaq i rëndësishëm për të.”