zoom

Aktualitet

“I kishte bërë të dyja dozat e vaksinës”/ Vdekja e fizioterapistit të Kombëtares, flet bashkëshortja: Ylli ishte i fiksuar pas shëndetit

Më datën 13 shtator, u nda nga jeta fizioterapisti i Kombëtares tonë, Ylli Mihali. Ai nuk arriti të përballonte dot betejën me koronavirusin.

Bashkëshortja e Mihalit, Nerida Guri ka treguar se nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër, madje ishte shumë i kujdesshëm ndaj shëndetit.

Ajo ka sqaruar të gjithë zërat për vaksinën, duke theksuar se Mihali i kishte bërë që në fillim të dyja dozat e Sinovac.

“Neve na përfshiu të gjithëve në shtëpi. Unë u riinfektova se për herë të parë isha në tetor. Ylli nuk kishte asnjë sëmundje tjetër përveç Covid-19.

Ylli ishte shumë i fiksuar pas shëndetit, pasi kishte të bënte edhe profesioni i tij, si fizioterapist. Madje bënte rregullisht check up.

Ai ishte i vaksinuar, e ka bërë që në fillim vaksinën kur erdhën të parat Sinovac. Bëri dozën e parë më 19 prill dhe të dytën më 19 maj.

Mbante maskë, madje dy maska. Ruhej shumë. Në lidhje me vaksinën mjekët nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim”, u shpreh ajo për “ABC e Mëngjesit”.

Më tej, Nerida tha se e ndjen shumë mungesën e tij në çdo rrugë që kalon, i duket sikur e ka në krahë.

“Pata ditëlindjen më 5 tetor dhe më mungoi shumë një urim nga Ylli. Pata fatin të kisha njerëzit e mi afër, tre mbesat e tij ma sollën një dhuratë në një formë sikur ma ka sjellë ai.

Tani pa të është shumë e vështirë, në çdo rrugë që eci më shfaqet. Nuk ka asnjë cm rrugë që unë mos të kem ecur me të, më duket sikur e kam në krahë”.

Postime të lidhura