zoom

Lajme

I dha tendera miliona lekë kompanisë që nuk përmbushte kriteret. GJKKO pezullon prefektin e Fierit

Prefektja e qarkut të Fierit, Rajmonda Bilalaj është pezulluar nga detyra, me vendim të GJKKO-së.

Balilaj, që ka qenë dhe kryebashkiake e Patosit, akuzohet për shkeljen e barazisë në kontratat publike dhe se i ka dhënë disa tendera një kompanie që nuk plotësonte as kriteret. Bëhet fjalë për kontrata që kalojnë vlerën e 150 mln lekëve.

Në vendimin e GJKKO-së, thuhet se Balilaj “ka bashkëpunuar me anëtarët e KVO-së të caktuar prej saj, në urdhrin përkatës, pasi ajo nuk kishte nga ta dinte se ky operator do të kualifikohej si fitues edhe pse ishte i vetmi garues në garë. Në këtë mënyre nga tërësia e elementëve objektive dalin edhe ato subjektive, pra bashkëpunimi i saj me anëtarët e KVO-së , pasi edhe këta të fundit kanë shpallur fitues operatorin “G…… 001” , edhe pse nga hetimi ka rezultuar se ky operator nuk i plotësonte të gjitha kriteret  dhe dokumentacionin sipas DST dhe duhej skualifikuar”.

GJKKO ka pezulluar nga detyra edhe Shkelqim Beqirin aktualisht sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Patos; Anisa Petani, ish Nënkryetaren e Bashkisë Patos, aktualisht e punësuar pranë Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Fier; Bora Murati, me detyrë secialiste Urbaniste, në Drejtorinë e Urbanistikës, pranë Bashkisë Patos si dhe ka firmosur detyrim me paraqitje për tre të tjerë: Eneriada Rizai anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Vangjel Nushi  ish Drejtor i Drejtorisë së Monitorimit dhe Shërbimeve Publike, pranë Bashkisë Patos dhe Arben Manoku, me detyrë ish Inxhinier pranë Bashkisë Patos./Zoom.al