zoom

Aktualitet

I dënuar në Itali për drogë, Prokuroria e Kukësit kërkon konfiskimin e 4 pasurive

Prokuroria e Kukësit njoftoi se me vendim të Gjykatës po kërkon konfiskimin e pasurice të shtetasit me inicialet Sh.H., dënuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në Itali. Bëhet fjalë për dy apartamente dhe dy makina.

Organi i akuzës shpjegoi se më datë 13 janar 2020 ka regjistruar referimin pasuror nr. 1, mbi bazën e materialeve referuese të ardhura nga ish-Prokuroria e Krimeve të Renda Tiranë, më datë 14.12.2019, në ngarkim të të dënuarit.

Rezultonin të dhëna nga Zyra Qendrore Interpol Tirana, se ky person ishte i regjistruar me rekorde kriminale në Itali. “Ky shtetas është arrestuar në Itali për shpërndarje lënde narkotike, kokainë. Sipas të dhënave të regjistruara në regjistrin e gjendjes gjyqësore të Republikës së Italisë për shtetasin Sh.H. rezulton se më 06.07.2012 është dënuar për veprën penale “posedim i paligjshëm i lëndëve narkotike”. Sipas këtij vendimi është dënuar me 8 muaj burgim dhe 4000 euro gjobë, dhe më pas pezullimin me kusht të dënimit sipas nenit 163 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në kuadër të këtij procedimi pasuror mbi kërkesën e prokurorit, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës vendosi pranimin e kërkesës dhe shqyrtimin e saj. Më datë 15 prill 2024 organi procedues ka paraqitur para gjyqtarit kërkesë për konfiskim pasurie.

Pasuritë e sekuestruara janë:

-Pasuria nr. 33/13+4-1, Vol.7, Fq. 46, me sipërfaqe 78m2, me adresë në lagjen nr.4, të regjistruar në emër të Sh. H;

-Pasuria 33/13+4-4, me sipërfaqe 78 m2, në pronësi të shtetasve E.H., R.H dhe Sh. H;

-Automjet “Mercedez Benz”, e regjistruar në pronësi të shtetases F.H.; dhe

-Automjet “Audi A3”, në pronësi të shtetases F.H.

/ZOOM.AL/