zoom

Aktualitet

I akuzuar në dosjen e bujshme “Revanshi”, GJKKO lë në burg vëllanë e ish-deputetit socialist Rraja

Gjykata e Posaçme ka dhënë sot një nga 50 masat për fletë-arrestet e SPAK në kuadër të superoperacionit të bujshëm “Revanshi”, ku u goditën 7 organizata të fuqishme kriminale në vend, në qarqet Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Shkodër.

GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest në burg për Xhelal Rrajën, vëllai i ish-deputetit socialist të dorëhequr të Fushë-Krujës, Rrahman Rraja, i cili u arrestua në kuadër të operacionit “Revanshi”.

Xhelal Rraja, është vëllai i ish-deputeti socialist Rrahman Rraja dhe akuzohet se ishte pjesë e grupeve të Durim Bamit e Endrit Dokles dhe do të siguronte kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e ish deputetit socialist Arben Ndoka.

Shkak ishin konfliktet e vazhdueshme mes bandave rivale, hakmarrja dhe larja e hesapeve. ish-deputeti Ndoka kërkonte hakmarrjen për vëllanë e vrarë më 2017 në Lezhë dhe dyshonte te Durim Bami. Ky i fundit, i arrestuar për ekstradim në Dubai, gjithashtu tentonte eliminimin e socialistit.

Ndoka kishte bërë aleancë me “mbretin e kumarit”, Ervis Martinaj, i zhdukur prej dy vitesh mistershëm dhe fati i tij nuk dihet. Gjithashtu edhe me Emiljano Shullazin. Kurse Bami kishte lidhje me Fatmir Hysenin e Vlorës (Doqja), klanin “Duka”, grupet e Durrësit dhe Bajrat e Shkodrës. /ZOOM.AL/