zoom

Lajme

Humbi bashkëshorten nga kanceri/ Agron Llakaj përlotet në studio: Më mungon tmerrësisht

Aktori i humorit Agron Llakaj rrëfeu për periudhën e vështirë të jetës që po kalon, pas humbjes së bashkëshortes së tij, Kostandina.

Ai tregoi se gjatë këtyre muajve është përpjekur të bëhet i fortë, të qeshë edhe kur nga brenda qan.

Agron Llakaj shtoi se misionin për të bërë humor do ta vazhdojë.

“Unë nuk do të doja ta cekja këtë temë, sepse e di që janë kohët më të vështira në jetën time. Më duhet të qesh, kur nga brenda qaj dhe e kam shumë të vështirë. Më tepër më rrok pjesa e vuajtjes dhe e dhimbjes, edhe pse mundohem ta kaloj. Pardje isha në një ceremoni dhe më erdhi një nënë në moshë, më tha: “Bëhu i fortë Agron, do na bësh për të qeshur, sepse është mision. Ti duhet të jesh më i fortë në këtë mision, pasi të gjithë kemi nga një shpirt, por ti ke dy, ke dhe shpirtin e Kostandinës”. Më mungon tmerrësisht, pse më futët në këtë pyetje?”, tha aktori i përlotur.

Ai foli edhe për fëmijët e tijz duke i quajtur burim shprese në këtë periudhë të errët.

“Ata janë burim motivimi, shprese. Nuk e dija që Zoti do më rezervonte këtë lloj fati, se thonë që Zoti të sprovon për të treguar se sa i fortë është njeriu, unë nuk jam kaq i fortë, nuk futem tek ajo seri e njerëzve. Dikur i thoja Kostandinës se është “Agronizuar”, tani kuptoj që jam “Kostandinizuar”. Unë duhet të marr dashurinë e atyre të vegjëlve, por dhe të rriturve. Ime bijë pati ditëlindjen më 22 gusht dhe nuk mund t’i thoja veçse: “Unë nënë për ty nuk mund të bëhem kurrë”.

Është një kohë kur nuk e kuptoj edhe vetë se ku jam. Si ndjenjë e kam, kërkoj të qesh brenda së qarës time, të mbys të qarën me të qeshur dhe sërish qaj. Kërkoj në një perde të errët një pikë dielli, për të ardhmen e fëmijëve të mi. E di që shpirti i asaj më ndjek nga lart”, u shpreh Agron Llakaj.

Bashkëshortja e tij, Kostandina, u nda nga jeta në maj pas një beteje të gjatë me kancerin e gjirit.

Postime të lidhura