zoom

Aktualitet

Hoteli pa leje i ish-drejtorit, Gjykata “shfryn” dosjen e Prokurorisë. Lirohen 10 zyrtarët

Gjyqtari Mikel Hysometaj ka “shfryrë” operacionin e Prokurorisë së Sarandës, i zhvilluar të mërkurën për ndalimin e 11 zyrtarëve të ASHK (Kadastra), Bashkisë Sarandë dhe IKMT, duke shpallur të paligjshme ndalimet dhe duke ndryshuar masën e sigurisë të kërkuar nga Prokuroria për 4 nga të ndaluarit, e duke lënë të lirë në total 6 prej tyre.

Edhe pse Prokurorja Silvana Belishta kishte kërkuar “arrest në shtëpi” për Ermen Strokën, Erald Likën, Denis Balilin, Viktor Qesarin, Oltion Durmishin dhe Tonin Simonin, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të ASHK, Bashkisë Sarandë dhe IKMT, të dyshuar për “shpërdorim detyre” dhe “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për Ina Papa, zyrtare e ASHK dhe Manushaqe Saliko ish-zyrtare e IKMT, të ndaluara nën të njëjtën akuzë, gjyqtari Hysometaj ka vendosur masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për 6 nga të ndaluarit, duke lënë në “arrest shtëpie” vetëm Strokën dhe Likën.

Praktikisht Hysometaj ka lënë të lirë inspektorët e IMT të Bashkisë Sarandë dhe të IKMT. Për Qesarin dhe Durmishi gjyqtari ka caktuar dhe masën e sigurimit shtesë “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Ndërkohë ditën e sotme është dorëzuar në një nga pikat e kalimit kufitar edhe ish-Drejtori i ASHK Sarandë, Andri Dhima. Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij do të zhvillohet ditën e hënë.

Policia vazhdon ende të kërkojë Mariel Muratin dhe Kozeta Stathën, të dy ish-drejtorë të ASHK Sarandë. Statha dyshohen për veprën penale “shpërdorim detyre” ndërsa Murati për “ndërtim të paligjshëm”. Dhima, Statha dhe Balili rezultojnë me masa sigurimi aktive edhe për çështje të tjera penale.

Një hotel 7 katësh në lagjen nr.4 të Sarandës ka qenë shkaku i 11 urdhër-ndalimeve të lëshuara nga Prokuroria e Sarandës. Hoteli në fjalë, rezulton në pronësi të ish-drejtorit të ALUIZNI Sarandë, Mariel Murati. Sipas burimeve, Murati kishte marrë leje për rikonstruksionin e një objekti ekzistues të blerë nga ana e tij, por e kishte rrënuar të gjithin duke e ndërtuar pa leje nga fillimi e duke shtuar më shume kate se sa ekzistuesi.

Pas kësaj ai ka arritur ta legalizojë objektin pa leje, hotel i cili është vendosur dhe funksionon si i tillë prej rreth 2 vitesh. Të gjitha këto veprime kanë ndodhur pasi ai e kishte lënë detyrën e drejtuesit të ALUIZNI Sarandë dhe ishte emëruar në një detyrë tjetër drejtuese.

Prokuroria e Sarandës, në kuadër të procedimit penal nr. 37 të vitit 2024, regjistruar për veprën penale “shpërdorim i detyrës” dhe “ndërtim i paligjshem” parashikuar përkatësisht nga nenet 248 dhe 199/a të Kodit Penal, ka kërkuar të mërkurën ndalimin e 11 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve.

Hoteli i Mariel Muratit ka qenë dy herë objekt i vendosjes së sasive të eksplozivit, në 9 shkurt 2021 dhe 29 qershor 2022, ngjarje ende të pazbardhura. /ZOOM.AL/