zoom

Aktualitet

Histori tronditëse në Memaliaj: Vajza qëndroi 10 ditë me kufomën e nënës në shtëpi

Një histori tronditëse e një familjeje në Memaliaj u bë sot publike.

Kushërira e një 50-vjeçareje tregoi në emisionin “Me zemër të hapur” për familjen e saj dhe kushte ç’njerëzore ku kanë jetuar.

Ajo rrëfeu në një lidhje telefonike se kushërira e saj 50-vjeçare vuan nga probleme të shëndetit mendor. Kur nëna e saj ndërroi jetë, u shpreh telefonuesja, 50-vjeçarja qëndroi në shtëpi së bashku me kufomën për 10 ditë.

Ajo u ankua për institucionet që nuk u interesuan për këtë familje, që ka po ashtu dy djem të tjerë me probleme të shëndetit mendor.

Këta të fundit, sipas telefonueses, kanë abuzuar dhe e kanë dhunuar motrën e tyre 50-vjeçare.

Aktualisht, 50-vjeçarja është e shtruar në spitalin e Vlorës.

“Halla ime ka vdekur para një muaji. Ka qëndruar për 10 ditë e vdekur. Askush nuk është interesuar për ata nga bashkia në Memaliaj sepse ata marrin edhe ndihmë ekonomike. Ata kanë qenë aty. Njëri prej tyre gjithë ditën rrugëve, edhe për t’u ushqyer ushqeheshin nëpër kazanë. Një javë para se të ndërronte jetë halla, kushëriri i madh ishte shtruar në psikiatri në Vlorë.

Kanë qenë të papërgjegjshëm për veten tyre, nuk e kontrollonin dot. Por nuk kanë qenë rrezik për banorët e tjerë. Është deklaruar që kanë abuzuar me motrën e tyre”, rrëfeu mes të tjerash kushërira e 50-vjeçares.