zoom

In Zoom

Histeria e OJQ-ve ndaj posterit të Belindit dhe qepja e gojës para gishtit të Ramës

Dy gishtat e mesit të Belind Këlliçit, në posterin elektoral ngritën në këmbë shoqata dhe organizata që  qytetarët, për të cilët ata po shqetësohen, nuk e dinin që ekzistonin (faleminderit Belo).

Nga Komisionieri për të drejtën e Informimit, tek Aleanca kundër Gjuhës së Urrejtjes madje edhe Urdhri e Punonjësve Social thanë se një pamje e tillë e vendosur rrugëve të Tiranës është e pahijshme për fëmijët dhe është një formë bullizimi. Edhe një ish-myfti reagoi për këtë gjest.

Ndoshta një poster i tillë nuk është fort i pranueshëm për një kandidat politik, por t’i thuash “fuck” korrupsionit, është politikisht korrekte. T’i thuash “fuck” qytetarëve të tu, jo nuk është. Dhe Këlliçi nuk e ka bërë këtë. Rama po!

Në dhjetor të 2019-s, kryeministri i vendit Edi Rama, kur ndezi dritat e pemës në kryeqytet, i rrethuar nga dhjetëra vajza të vogla, përveç qindrave në shesh, ngriti lart gishtin e mesit.


“Kemi edhe ca ‘harrupielë’ për të mos prishur syrin e keq”- tha Rama teksa u drejtonte gishtin një grupi protestuesish nga ana tjetër e sheshit Skënderbej. Për shkak të të gjitha rrethanave, veprimi i kryeministrit është më i dënueshëm se ai i Këlliçit, por askush nuk reagoi. Askush nuk publikoi qëndrimet duke shkruar me të kuqe “URGJENTE”. Asnjë media nuk futi fenë dhe shkencën për ta analizuar. Madje veprimi justifikohej sepse grupi i protestuesve prishën momentin e shoë-t të kryeministrit dhe kryebashkiakut.

Dikush duhet t’u thotë OJQ-ve se koha e fushatës nuk është për to, por për kandidatët. Ato janë mjeti që shfrytëzohen për lajmin e radhës dhe lëshohen përsëri për të vazhduar gjumin, deri zgjedhjet ose protestën e radhës.

Reagimi ndaj veprimit të Këlliçit nuk është i gabuar, është një situatë që ka vetëm qasje dhe jo përgjigje të vërtetë/të gabuar, por nëse gjatë gjithë kësaj kohe, këto OJQ nuk panë kurrë një veprim për të ngritur zërin, ka diçka që nuk shkon.

Nga emisionet argëtuese e deri tek kreu i qeverisë, bullizimi, diskriminimi, denigrimi, racizmi komunikohet çdo moment. Vetëm një javë më parë, Rama e quajti Këlliçin pjesë e komunitetit egjiptian për shkak të ngjyrës së tij dhe askush nuk e kritikoi atë.

Por sigurisht gishti i kryeministrit ndryshon nga çdo gisht tjetër dhe mesa duket organizatat joqeveritare janë të parat që e kanë ndjerë ndryshimin!/Zoom.al