zoom

Aktualitet

Hije dyshimi nga Elbasani/ Gledian Llatja blen 130 milionë lekë pajisje fonie për Këshillin Bashkiak

Bashkia Elbasan, e drejtuar nga kryetari Gledian Llatja, ka zhvilluar një tender të dyshimtë me objekt “Furnizim dhe vendosje e pajisjeve për foninë e sallës së Këshillit Bashkiak”.

Sipas të dhënave zyrtare, procedura e prokurimit është mbyllur me shpalljen e fituesit, kompanisë PC STORE, e cila është në pronësi të Elton dhe Vitator Mehmeti. Vlera e ofruar nga kjo kompani është 10,818,600.00 lekë të reja pa TVSH, që përllogaritet në rreth 130 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Nga dokumentacioni i disponuar rezulton se fondi limit i parashikuar për këtë tender ishte 10,878,312.00 lekë të reja pa TVSH, çka do të thotë se vlera e ofertës fituese është pothuajse e barabartë me shumën maksimale të parashikuar nga autoriteti kontraktues. Konkretisht, oferta fituese përbën 99.45% të fondit limit, një praktikë që në shumë raste ngre dyshime mbi konkurrencën e vërtetë të procesit të tenderimit.

Një tjetër element shqetësues është fakti se në garë kanë marrë pjesë vetëm tre kompani, dhe përfitues ka dalë pikërisht subjekti që ka paraqitur ofertën më të lartë. Kjo e bën procedurën të duket edhe më e dyshimtë, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e organizimit të tenderit dhe mbi faktin nëse ka pasur një konkurrencë të vërtetë apo nëse fituesi ishte i paracaktuar.

Përveç aspekteve financiare dhe procedurale, dyshime shtesë lindin edhe në lidhje me vetë nevojën për këtë investim. Nga një vëzhgim i aktiviteteve të Këshillit Bashkiak të Elbasanit, konstatohet se salla e mbledhjeve ndodhet në gjendje mjaft të mirë dhe është rinovuar së fundmi, çka e bën të pakuptimtë një shpenzim të tillë për përmirësimin e fonisë. Në mungesë të një arsyetimi të qartë dhe të detajuar mbi domosdoshmërinë e këtij investimi, dyshimet për abuzim me fondet publike bëhen edhe më të forta.

Ky rast shton shqetësimet mbi mënyrën se si menaxhohen fondet publike nga Bashkia Elbasan dhe ngre pikëpyetje mbi transparencën dhe integritetin e procesit të prokurimit. Në kushtet e një konkurrencë të kufizuar dhe me një vlerë të ofertës fituese thuajse identike me fondin limit, ky tender mund të konsiderohet si një shembull i keqmenaxhimit të burimeve financiare publike, duke lënë hapësirë për dyshime mbi shkelje të mundshme ligjore dhe përfshirje të praktikave klienteliste.