zoom

Aktualitet

Hetimet zbulojnë shkeljet e policëve në Elbasan. Si i favorizonin drejtuesit e mjeteve

Pesë efektivë policie në Elbasan janë kapur në shkelje pas hetimeve katërmujore të kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Ata akuzohen se janë korruptuar nga drejtues automjetesh, të cilët ishin kapur në shkelje administrative nga aparaturat e radarit të Policisë Rrugore.

Hetimi ka nisur pas ankesave të adresuara nga qytetarë të ndryshëm pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Tre prej punonjësve janë lënë në arrest shtëpie, ndërsa dy të tjerë janë pezulluar nga detyra

Njoftimi i policisë:

Masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” për punonjësit A. T., 32 vjeç, E. H., 39 vjeç dhe XH. S., 50 vjeç, të dyshuar për kryerjen e veprës penale ”Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe ”Falsifikim kompjuterik”.

Masa e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a funksioni publik” për punonjësit E. K., 33 vjeç dhe N. XH., 34 vjeç, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.