zoom

Aktualitet

Hetimet për vrasjen e “kumbarit” Bardhok Planaj/ Veliu takim me policinë e Shkodrës: Të ekzaminohen provat

Ka përfunduar takimi mes drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit shqiptar Ardi Veliu dhe policisë së Shkodrës.

Drejtori i policisë së Shtetit ka kërkuar zbardhjen e e ngjarjes ku mbeti i vrarë shtetasi Bardhok Planaj.

Veliu ka kërkuar ekzaminimin e provave të sekuestruara. Policia po punon për zbardhjen e kësaj ngjarje, por deri më tani nuk ka asnjë person të dyshuar si autor i krimit.

Top Channel ka siguruar pamjet e momentit kur ekzekutohet me breshëri plumbash Bardhok Pllanaj në Shkodër.

Nga pamjet e sigurisë duket momenti kur Pllanaj përballet me të shtëna nga të gjitha anët. Ndonëse është errësirë, duket qartë se si përplasen plumbat me automjetin tip “Range Rover” me të cilin po udhëtonte dhe e lanë të vdekur në vend Pllanajn.

Në vendin e ngjarjes u gjetën 79 gëzhoja plumbash që ishin drejtuar ndaj Pllanajt, i njohur ndryshe si “Kumbari”. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e kaluar rreth orës 21:07 në lagjen “Dobraç”, ku u dëgjuan të shtëna me armë zjarri dhe u konstatua një makinë e djegur. Automjeti i djegur ishte rreth 250 metra pa shkuar tek rruga kryesore, ku ndodhej mjeti i tipit Range Rover, në të cilin u ekzekutua Pllanaj.

Ndërsa në automjetin e djegur, tip Volkswagen Passat, me targa FV140MT, u gjetën dy armë automatike mod.56, dy krehër automatiku dhe dy gëzhoja mod.56 kalibër 7.62 mm të cilat u morën me cilësinë e provës materiale nga policia.
Sa i përket automjetit të Pllanajt, u gjetën dy aparate telefoni, njëri i dëmtuar, njëri në gjendje të rregullt por është dërguar për ekspertim laborator kriminalistik Tiranë. Në vendin ku u qëllua Pllanaj, u mor në pyetje një person, i cili deklaroi se tek rruga e Bajpasit nuk kaloi as makinë as persona në këmbë, por i dëgjoi të shtënat me armë.

Dyshohet se vrasja ndaj tij ishte e paramenduar, e mirë organizuar me mbi dy persona autorë, të cilët kanë bashkëpunuar me persona të tjerë të cilët kanë ruajtur viktimën për lëvizjet e tij, pasi paraprakisht viktima dyshohet se ka qenë së bashku me bashkëshorten e tij në spitalin e Shkodrës tek nëna e sëmurë dhe pasi ka dalë nga aty ka shkuar për në banesën e tij në Dobraç, ku më pas është qëlluar në një distancë rreth 50 metra.

Kush është Bardhok Planaj?

Bardhok Planaj, njihet si një biznesmen me reputacion në qytetin verior dhe me lidhje të forta politike. Në shkurt të vitit 2020, ishte një nga të piketuarit e OFL që iu është dërguar formulari. Planaj, i cili ishte banues në Koplik, Shkodër, rezulton se ka qenë i dënuar në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore.

Ai u arrestua në 2018 pasi kishte një pallat 10-katësh, që 44-vjeçari e kishte ndërtuar pa lejen e organeve kompetente në lagjen “Dobraç”.

Emri i Planajt u lakua për herë të parë në vitin 2014, gjatë operacionit policor “Laguna e Vilunit”, ku u sekuestruan gati një ton hashash. Shtatë persona u arrestuan, por Planaj arriti t’i shmangej kapjes.

Sipas Partisë Demokratike në atë kohë, për t’iu shpëtuar prangave, trafikanti u fsheh në automjetin e ish-deputetit Mark Frroku, por ky i fundit mohoi akuzat. Sipas burimeve policore, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte vendosur për Planajn masën e “arrestit me burg” për trafik narkotikësh, edhe në maj të vitit 2017, por në rrethana të paqarta rezulton që kjo masë të jetë shuar 2 muaj më vonë.