zoom

Aktualitet

Hekurudha Tiranë-Durrës, shinat e shtrembëra të projektit 129 mln euro bëhen “meme”

Raportimet për punime skandaloze në  hekurudhën Tiranë-Durrës kanë qenë të vazhdueshme.

Më së shumti qytetarëve u kanë bërë përshtypje shinat e shtrembëra në pjesët ku ato janë shtruar dhe fakti se hekurudha do të ketë vetëm një kalim.

Siç shihet në videon e mëposhtme të Zoom.al, shinat janë vendosur shtrembër dhe kalimi i trenit mbi këto zig-zage nuk do të ishte i mundur.

Ekspertët thonë se bëhet fjalë për një çështje provizore. Shinat shtrohen në këtë mënyrë e më pas kalibrohen nëpëmjet një makinerie të veçantë.

Megjithatë, ato janë bërë tashmë “meme” dhe video si kjo e publikuar nga Zoom.al po bëjnë me shpejtësi xhiron në internet.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by zoom.al (@zoom.al)


Ndërtimi i hekurudhës, ku punimet kanë nisur në nëntor 2021, do të kushtojë 129 milionë euro.

Kompania që po zbaton këtë projekt është INC spa, e cila u shpall fituese në vitin 2020, me një ofertë 69.7 milionë euro.

Linja e rikonstruktuar e Tiranë-Durrës do të kalojë mbi linjën e vjetër ndërkohë që shtesë do të jetë pjesa e Tiranë-Rinas, linjë hekurudhore totalisht e re.

Sa i takon stacioneve nga Hekurudha Shqiptare është konfirmuar më herët se stacionet ekzistuese do të vijojnë të mbeten në të njëjtat vendndodhje, ndërsa stacionet e reja do të jenë në aksin e ri nga Domje në Aeroportin e Rinasit.

Kostot e hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas pritet të arrijnë në total 129 milionë euro, sipas të dhënave nga Komuniteti i Transportit. Shtrenjtimi i çmimeve të tregut dhe disa punime të tjera shtesë kanë ndikuar në rritjen e kostove.

Komuniteti i Transportit njoftoi se në tremujorin e katërt të 2023, Shqipëria kërkoi kosto shtesë nga Komponenti i Huasë (BERZH), për të mbuluar tre komponentë shtesë:

1-Rregullimi i çmimit i Kontratës së Punës për shkak të rritjes së çmimeve të tregut (29 milionë euro);

2 -Ndërtimi i një stacioni të ri përgjatë segmentit ekzistues (11,5 milionë euro);

3- Projekti i zgjerimit të infrastrukturës hekurudhore 4 km nga hyrja e Tiranës në Qendrën e Tiranës (16.1 milionë euro).

BE ka financuar projektin me një grant investimi prej 35.5 milionë eurosh dhe Agjenda e Lidhshmërisë për Ballkanin Perëndimor, dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhanë një kredi prej 36.9 milionë euro, në një total prej 72.4 milionë eurosh.

Duke shtuar dhe koston e tre komponentëve të kërkuar (të përmendur më sipër), që së bashku arrijnë në 56.6 milionë euro, totali arrin në 129 milionë euro. /Zoom.al

Postime të lidhura