zoom

Lajme

Hapen kutitë në Maqedoninë e Veriut, sa vota kanë marrë kandidatët shqiptarë

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut njoftoi zyrtarisht mbylljen e procesit të votimit për president në orën 20:00.

Vetëm një orë më vonë, nisi hapja e kutive të para dhe numërimi i votave.

Nga rezultatet e deritanishme, në krye qëndron Gordana Siljanovska Davkova e VMRO DPMNE me 36.5% të votave, e pasuar nga Stevo Pendarovski me 17.93% të votave.

I treti në renditje është kandidati shqiptar Bujar Osmani, 17.03% të votave dhe pas tij qëndron Arben Taravari me 12.45%.

Deri tani janë numëruar votat në 1784 nga 3508.

Votimi, sipas autoriteteve, u zhvillua i qetë, me disa incidente të vogla që nuk pritet të japin ndikim në rezultatin përfundimtar.

Pjesëmarrja në këtë raund të parë të zgjedhjeve presidenciale ishte 9% më e lartë se në zgjedhjet e vitit 2019.

Në garën për president të Maqedonisë së Veriut janë Stevo Pendarovski i LSDM-së, i cili garon për një mandat të dytë, Gordana Siljanovska Davkova e VMRO-DPMNE-së, Bujar Osmani i koalicionit Fronti Evropian i drejtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Arben Taravari i koalicionit VLEN, Maksim Dimitrievski i partisë “Znam”, Stevçe Jakimovski i Opsionit Qytetar për Maqedoninë dhe Biljana Vankovska e partisë “E Majta”.

Postime të lidhura