zoom

Slider

Guardiola harron Premier dhe Champions: Dua të fitoj trofeun e Botërorit të Klubeve!

Pep Guardiola thotë se është një nder dhe privilegj për Sitin që të konkurrojë për të ngritur Kupën e Botës për Klube në 22 dhjetor. Kampionët e Europës nisin fushatën e Botërorit të Klubeve ditën e sotme në orën 19:00, kur do përballen me skuadrën japoneze të Uravës, në Xhedah të Arabisë Saudite.

Skuadra e Guardiolës po kërkon të fitojë atë që do të ishte trofeu i pestë i madh i vitit kalendarik, pas tripletës historike të sezonit të kaluar dhe suksesit në Superkupën e UEFA-s në gusht.

Kjo është hera e parë që Siti merr pjesë në Kupën e Botës për Klube të FIFA-s. Duke iu drejtuar mediave në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes në stadiumin “King Abdullah Sport City”, trajneri foli për lumturinë dhe entuziazmin e tij për të marrë pjesë në këtë turne. “Është hera e parë e Mançester Sitit këtu dhe është kënaqësi të jem këtu, një nder”, tha Guardiola.

“Ne e marrim si privilegj, është nder të jem këtu. Të jesh ulur këtu dhe të luash nesër (sot) do të thotë se ke bërë diçka të jashtëzakonshme në të kaluarën. Ne duhet të luajmë një ndeshje dhe ta meritojmë të jemi në finale. E dimë se sa e vështirë është të fitosh këtë kompeticion dhe duhet të kesh bërë diçka të veçantë në të kaluarën. Por ne donim të fitonim kundër Kristal Palasit.

Në Premier Ligë keni një ndeshje tjetër çdo tre ditë, këtu mund të mbërrish një herë në jetë. Është e vështirë të fitosh këtu dhe lojtarët e dinë këtë. Kjo është arsyeja pse ne duam të luajmë mirë në gjysmëfinale. Por për të luajtur finalen ne e dimë se duhet të luajmë këtë finale të parë, të luajmë mirë për të shkuar atje”.

Ai u ndal të vlerësonte edhe rivalët japonezë të Uravës: “Për të qenë në finale, së pari luajmë një gjysmëfinale të vështirë. E keni parë kombëtaren japoneze, ata mundën Gjermaninë në Kupën e Botës. Futbolli në Japoni është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme në dhjetë vitet e fundit.

Ata janë të saktë, të shpejtë në tranzicione dhe të paparashikueshëm në shumë raste. I respektoj shumë ata dhe sigurisht që dua të jem në finalen e Kupës së Botës të premten”. /ZOOM.AL/