zoom

Aktualitet

Gjyqi i Sky ECC në Belgjikë/ Dënime deri 17 vjet burg për narkotrafikantët. Mes tyre dhe shqiptarë

Gjykata Penale e Brukselit dënoi 119 persona të martën si pjesë e gjyqit të ashtuquajtur “Encro”, një nga rastet më të mëdha të trafikut të drogës në Belgjikë, me dënime deri në 17 vjet burg dhe konfiskime masive të pasurive.

Mes të dënuarve është edhe një shqiptar, i identifikuar si Eridan MG, kreu i një rrjeti të gjerë trafiku droge, i cili u dënua me 14 vjet burg në gjyqin që e ka zanafillën nga zbërthimi i rrjetit të këtij aplikacion që përdorej kryesisht nga trafikantë droge dhe grupe kriminale.

Sipas mediave belge, 51-vjeçarit shqiptar do t’i konfiskohet pasuri e barabartë me 20 milionë euro, të ardhura nga burime kriminale.

Në janar, zyra e prokurorit publik kishte kërkuar një dënim me 15 vjet burg për drejtimin e një organizate kriminale të përfshirë në trafikun e drogës.

Po ashtu, prokuroria publike kishte kërkuar një vit për posedim të armëve të zjarrit dhe tre vjet për rrëmbimin e një të dyshuari tjetër.

Në total, prokuroria publike kishte kërkuar dënimin me 19 vjet burg për Eridanin. Avokatja e të dyshuarit, Nathalie Gallant, argumentoi se dënimi i klientit të saj duhet të jetë sa më i butë, sepse ai kishte bashkëpunuar me drejtësinë.

Ajo gjithashtu theksoi se vetë Eridan MG ishte torturuar pasi kishte humbur një ngarkesë droge. “Edhe pse kjo nuk e ul rolin e tij si lider në Belgjikë, do të thotë se atij i është dashur të përgjigjet para palëve të treta dhe se ka pasur njerëz të tjerë mbi krye”, tha Gallant.

Policia kishte rënë në gjurmë të organizatës kriminale pas deshifrimit të rrjeteve të koduara Encrochat dhe SKY ECC. Në gjyq po gjykohen 124 persona, 4 kompani dhe shqiptari i përfshirë për trafikim kokaine dhe kanabisi.

Përveç krerëve, nëntë të pandehur u liruan nga akuzat dhe njëmbëdhjetë të pandehur u dënuan me më pak se tre vjet.

115 persona u shpallën fajtorë për akuza të ndryshme, nga pjesëmarrja në një organizatë kriminale, trafik droge dhe armësh e deri te tentativa për zhvatje e deri tek rrëmbimi. Dënimet e përcaktuara me burg variojnë nga 14 muaj deri në 17 vjet.

Në total, gjykata penale e Brukselit dha rreth 700 vjet burgim dhe urdhëroi konfiskimin e rreth 65 milionë eurove.

Edhe në Shqipëri, nuk janë të pakta rastet kur grupe kriminale apo dhe ish-deputetë kanë dalë në përgjimet e rrjetit “Sky ECC”, të njohura si të ligjshme për t’u përdorur si prova në gjykatë ndaj të akuzuarve nga Gjykata e Strasburgut.

Postime të lidhura