zoom

Aktualitet

“WhatsApp-i i gangsterave”/ Hetuesit: Pas anglishtes, gjuha më e përdorur në Sky ECC është shqipja

Themeluar në vitin 2008, Sky ECC u rrit në popullaritet pasi mesazhet e dërguara përmes një shërbimi tjetër të mesazheve të koduara, EncroChat, u deshifruan në një operacion të udhëhequr nga francezët dhe holandezët në mesin e vitit 2020.

Menjëherë, Sky ECC e përshkroi veten si “një lider global në teknologjinë e mesazheve të sigurta”, duke ‘siguruar’ se do të ndihmojë përdoruesit të mos rrezikojnë hakërrimin.

Autoritetet e zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, megjithatë, thonë se ai u krijua me të vetmin qëllim: Për të lehtësuar trafikun e drogës dhe shumë shpejt, ishte bërë aplikacioni i zgjedhur i mesazheve për organizatat e krimit transnacional.

Në 2021, policia në Belgjikë dhe Holandë bënë atë që Europol e përshkroi si një nga rastet më unike në historinë globale të drejtësisë.

U arrestuan mijëra njerëz pasi policia depërtoi në komunikimet e rreth 70 mijë pajisjeve që kishin përdorur Sky ECC.

Më 12 mars, autoritetet amerikane paditën Jean-Francois Eap, shefin ekzekutiv të Sky Global, kompania që qëndron pas Sky ECC, duke e akuzuar atë për menaxhimin e një platforme që përdorej masivisht nga grupet kriminale.

Më shumë se një vit e gjysmë më vonë, detektivët ranë dakord se hetimi i Sky ECC shënoi një pikë kthese në luftën kundër bandave të drogës.

Eric Snoeck, drejtor i përgjithshëm i Policisë Gjyqësore Federale të Belgjikës, i tha AFP në 2022 se autoritetet kanë në dorë më shumë se një miliard mesazhe Sky ECC.

Ato mesazhe i lejuan hetuesit të gjenin një “shtëpi tmerri” në Serbi pranë kryeqytetit Beograd, ku viktimat copëtoheshin, shembull i një prej rasteve më të tmerrshme, që nuk do zbulohej ndoshta kurrë nëse nuk do dëshifrohej Sky ECC. Gjithashtu, zbardhjet nga Sky ECC zbuluan vrasje dhe tortura në Holandë në 2022.

France 24 shkruante asokohe se ndërsa shumica e figurave të larta të arrestuar jetonin në Dubai, Ballkani është ‘koka’ e këtyre bandave.

“Pas anglishtes, gjuha më e zakonshme e përdorur në Sky ECC ishte shqipja”, zbuluan hetuesit.

“Grupet e krimit të organizuar nga Ballkani janë përshtatur shpejt dhe me zgjuarsi vitet e fundit për të inovuar dhe përdorur teknologjinë në avantazhin e tyre”, tha Walter Kemp, drejtor i Observatorit të Evropës Juglindore në Iniciativën Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional.

Ai tha se ndërsa disa ende mbajnë para përtej kufijve ose përdorin transferta bankare, të tjerët po përdorin mjete komunikimi të koduara, duke pastruar para përmes kriptomonedhave dhe skemave të përpunuara financiare.

“Jam shumë i shqetësuar,” i tha AFP një gjyqtar francez, duke folur në kushte anonimiteti.

“Ne po e nënvlerësojmë rrezikun e këtyre rrjeteve në drejtim të destabilizimit të shtetit dhe përhapjes së dhunës në të gjitha anët e shoqërisë. Është WhatsApp-i i gangsterave”, tha ai.

Në kohën e operacionit policor, tre milionë mesazhe në ditë dërgoheshin përmes Sky ECC.

Në 2021, në mbarë botën, kishte 171,000 pajisje me SKY ECC të regjistruara, kryesisht në Evropë, Amerikën e Veriut, një numër vendesh në Amerikën qendrore dhe jugore, kryesisht Kolumbi dhe në Lindjen e Mesme. Por, çuditërisht, 25% e përdoruesve aktivë të këtyre pajisjeve janë në Belgjikë (6,000) dhe Holandë (12,000), dhe gjysma e tyre thuhet se janë në përdorim rreth portit të Antëerp.

Pas heqjes së Sky ECC në mars 2021, shumë rrjete të krimit të organizuar kërkuan një zëvendësim të shpejtë për një platformë komunikimi të koduar.