zoom

Bota

Gjykata ndaloi dërgimin e emigrantëve në Ruanda, kundërshton Sunak: Vendosim ne, jo bandat

Kryeministri britanik Rishi Sunak nuk e mirëpriti vendimin e gjykatës për të rrëzuar planin e qeverisë që azilkërkuesit, përfshirë edhe shqiptarët, të dërgohen në Ruandë.

Sunak paralajmëroi se do ta apelojë verdiktin e gjykatës, duke shtuar se vendimet për menaxhimin e emigrantëve janë në dorën e qeverisë dhe jo të bandave kriminale.

“Ndërsa e respektoj gjykatën, në thelb nuk pajtohem me përfundimet e tyre. Unë besoj fuqimisht se qeveria e Ruandës ka dhënë garancitë e nevojshme për të siguruar që nuk ka rrezik real që azilkërkuesit e zhvendosur sipas politikës së Ruandës do të kthehen gabimisht në vendet e treta. Ruanda është një vend i sigurt. Politika e kësaj qeverie është shumë e thjeshtë, është ky vend dhe qeveria që duhet të vendosë se kush do të vijë këtu, jo bandat kriminale. Dhe unë do të bëj gjithçka që është e nevojshme për ta bërë këtë”, tha Sunak.

Gjykata e Apelit në Londër rrëzoi planin e qeverisë britanike për dërgimin e mijëra azilkërkuesve në Ruanda, me argumentin se nuk është një vend i sigurt. Vendimi konsiderohet një disftatë për kryeministrin Sunak, që është zotuar të ndalojë me çdo kusht emigracionin e paligjshëm.