Aplikacion
Edhe pse drejtësia kishte folur, e shkuara nuk i la të qetë dy “biznesmenët”, të cilët, në nëntor të 2022 u vunë sërish në pranga me kërkesë te prokurorisë më të rëndësishme në vend, SPAK. Kjo e fundit tha se dy biznesmenët, bashkë me disa të tjerë, kishin qenë pjesë e një skeme të lëshimit të faturave fiktive, për blerje dhe punime që nuk janë kryer asnjëherë në inceneratorin e Fierit.
Kërkesa për mbylljen e tyre në qeli, u miratua nga Gjykata e Posaçme pa ndonjë hezitim. U verifikua dhe la në fuqi 2 ditë pas arrestimit, si dhe u miratua më pas edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Të hetuarit e përsëritën disa herë që ata kishin dhënë llogari njëherë për këtë akuzë dhe ishin dënuar nga një Gjykatë tjetër, por në asnjë rast nuk u dëgjuan.
Dy të pandehurit e SPAK e morën drejtësinë e tyre pasi qëndruan disa muaj në qeli. Gjyqtari i seancës paraprake, pushoi çështjen në ngarkim të tyre si gjë e gjykuar, pak më shumë se 5 muaj nga arrestimi. Por teksa Robert Shabani po e gëzon lirinë, Enver Sheshi, e mori drejtësinë pak ditë pasi kishte ndërruar jetë në ambientet e spitalit të burgut, tamam sipas postulatit “Drejtësia e vonuar, është drejtësi e mohuar”.
Avokatët: Gjykata e Posaçmë nuk dëgjon. Vendos “copy-paste” çfarë i kërkon SPAK
Në korridoret e Gjykatës së Posaçme, ajo që ndesh më shpesh janë avokatë të cilët ankohen se nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me prokurorët në një proces gjyqësor. Fjalia “gjykata vendos copy-paste çfarë kërkon Prokuroria e Posaçme” është kthyer nga mbrojtësit si pjesë e çdo akti të dorëzuar në konkluzionet përfundimtare.
Avokati Sokol Hazizaj, në seancën ku u lexua pretenca për dosjen e inceneratorit të Elbasanit për 9 të pandehurit pati kundërshtimet e tij për akuzat e relatuara nga SPAK dhe në përfundim i tha Gjykatës se pret që ajo të lërë në fuqi pa ndryshim atë çfarë kërkoi SPAK.
Por nuk kanë munguar edhe qëndrimet publike, të cilat konsiderojnë rolin e avokatit në proceset gjyqësore si jo të barbartë sa i takon dëgjimit të fakteve që relatohen. Në disa raste, avokati Maksim Haxhia është shprehur publikisht se “gjykata është kthyer në një notere e SPAK”, teksa të tjerë e kanë quajtur atë si një “gjykatë që nuk dëgjon”.
Bojkoti i avokatëve në verën e 2022, si kundërshti ndaj miratimit të Hartës së Gjyqësore, të cilën e konsideronin si cenim të aksesit në drejtësi dhe një hartë e cila do detyronte avokatët të rrisnin tarifat për qytetarët, nga shumë prej tyre u përdor edhe si një formë revolte ndaj Gjykatës së Posaçme. Nëse i pyesje se pse ishin dakord me bojkotin, përgjigja më e shpeshtë që merrje ishte se: Kjo gjykatë ka nevojë të kuptojë rolin e avokatëve dhe të dëgjojë më shumë.
Por nevoja për të dëgjuar më shumë, më shumë se sa me avokatët, lidhet me rolin që ligji i jep gjyqtarit, për të qenë mbi palët dhe për të mos lejuar që qyetatrit t’i cënohen të drejtat, qoftë edhe kur është një i pandehur.
Masat e sigurisë dhe një vështrim ndryshe i Strasburgut
Kërkesat më të shumta të rrëzuara nga Gjykata e Posaçme janë ato për zëvendësimin e masave të sigurisë “Arrest në burg”, të cilat janë dhjetra në muaj, nga të pandehur që kryesisht akuzohen për veprat penale në fushën e korrupsionit, më pak nga ata që akuzohen për krime të rënda.
Në të gjitha rastete, masat e kërkuara nga Prokuroria e Posaçme, konfirmohen nga Gjykata dhe ato nuk ndryshojnë deri në dhënien e një vendimi përfundimtar, përveç rasteve të veçanta. Edhe kur në seancë konfirmohet gjendja shëndetësore jo e mirë e një të pandehurit, Gjykata, siç ndodhi në rastin e ish -ministrit Lefter Koka, tha se pavarësisht kësaj, ai mund të marr trajtim në ambientet e spitalit të burgut.
Më herët, ish -ministrit, por edhe një tjetër zyrtari të akuzuar në dosjen e inceneratorëve, Gjykata i rrëzoi kërkesat për lirimin në garanci pasurore. Kështu kishte kërkuar SPAK. Shumë të hetuar të tjerë para ish -ministrit dhe pas tij, i thanë Gjykatës së Posaçme se ishin sëmurë dhe kishin nevojë për trajtim të veçantë, por as ata nuk u dëgjuan. Gjykata dëgjoi SPAK-un.
Klajdi Dokoli, tashmë i dënuar me 25 vjet burgim si pjesëmarrës në një grup kriminal që vrau në 2012 babë e bir, Nezir e Gentian Beqirin në Elbasan, qëndroi gjatë gjithë hetimeve në masën e sigurisë “Arrest në burg”, edhe pse trajtohej me kimioterapi për shkak të një tumori.
Ai iu drejtua gjykatave të posaçme, të Shkallës së Parë dhe Apelit me kërkesë për të qëndruar në shtëpi gjatë hetimeve, por edhe pse me akt ekspertime që pranonin gjendjen e tij shëndetësore, kërkesa nuk iu mor parasysh.
Edhe në rastin e fituesit të garës për bashkinë e Himarës, Fredi Belerit dhe të mikut të tij, Pandeli Kokaveshi, Gjykata e Posaçme dëgjoi SPAK-un. Bleri, edhe pse paraqiti prova se kishte probleme shëndetësor u la në burg. Kokaveshi, që kishte bërë një transplant në zemër, u la në arrest shtëpie vetëm kur SPAK u bind.
Aplikimi i masave të rënda të sigurisë nga drejtësia shqiptare, duke mbyllur në qeli qytetarë si të dyshuar dhe rrëzimi i kërkesave ka marr një përgjigje edhe nga Gjykata e Strasburgut.
Disa muaj më parë, kjo gjykatë gjobiti Shqipërinë me 8 mijë euro, për paraburgim të një ish zyrtare, e cila edhe pse u gjet e fajshme për vjedhje duke shpërdoriar detyrën, për Gjykatën Evorpiane të të Drejtave të Njeriut, ajo nuk duhet të mbahej në qeli gjatë hetimeve. Në arsyetim, Strasburgu, thekson se rëndësia e një vepre penale ose pasojat që ka sjell ajo, nuk përbëjnë arsye të që justifikojnë paraburgimin dhe nuk mund të justifikojnë në vetvete, heqjen e lirisë së një të dyshuari.
“Noterizimi” vë në pikëpyetje Reformën në Drejtësi
Gjykatat e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar filluan funksionimin më datë 19 dhjetor 2019.
Gjyqtarët e gjykatave të posaçme emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe para emërimit, i nënshtrohen verifikimit të pasurisë dhe figurës, si dhe japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikacione vetjake sipas ligjit. Këtij kontrolli i nënshtrohen edhe familjarët e afërt.
Kontrolli kryhet nga Byroja Kombëtare e Hetimit, një strukturë nën sqetullën e SPAK që kryen hetime për llogari të Prokurorisë së Posaçme. Ky fakt duket se i ka bërë gjyqtarët e “Gjykatave të Posaçme” që t’i nënshtrohen SPAK-ut, duke mirtuar pothuajse çdo kërkesë të prokurorëve.
Por “noterizimi” i kërkesave të SPAK është kazmë në themelet e reformës në drejtësi, mbi të cilën u ngritën këto dy institucione. Gjykatat e Posaçme janë mbi palët, por nëse vetëm vënë firmën mbi kërkesat e prokurorëve, pa vënë në dyshim asgjë që sillet e shkruar prej tyre, gjasat janë që drejtësia e re të jetë më pak e drejtë se e vjetra.
Rasti i Enver Sheshit dhe Robert Shabanit do t’u mjaftonin gjyqtarëve të Gjykatave të Posaçme që jo vetëm t’i kalonin në lupë kërkesat e SPAK për të kryer detyrën e tyre kushtetuese, por edhe të rifitonin pavarësinë e tyre në raport me prokurorët e SPAK, të cilët, nga ana e tyre, kanë ende për të treguar jo vetëm që janë vërtet profesionalë, por edhe që nuk janë të ndikuar nga grupe të caktuara politike dhe influence.
Jo më kot një doktrinë ligjore amerikane thotë se, ” është më mirë të arratisen 10 persona fajtorë sesa të vuajë 1 i pafajshëm”.
Gjyqtarët e Gjykatave të Posaçme padyshim që e dinë këtë.
Rrëzohen amendamentet e Bardhit, akuza Ballukut: Shtove 50 mln euro te tuneli i Llogarasë