zoom

Politikë

Gjykata e Lartë rihap dosjen “Gërdeci”, Fatmir Mediu do të gjykohet nga Gjykata e Posaçme

Gjykata e Lartë ka revokuar vendimin e pushimit të çështjes ndaj Fatmir Mediut, ndërkohë që ka deklaruar moskompetencë dhe ja ka kalur Gjykata së Posaçme për Korrupsion dhe Krim të Organizuar.

Vendimi është njoftuar këtë të martë në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë u vu në lëvizje pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për rihapje të hetimeve ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes gjatë shpërthimit të Gërdecit.

SPAK thotë se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Janë ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtësi ku thuhet se “deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale ndaj tij, për hetimin apo për gjykimin e tij” që ia mundësuan SPAK rihapjen e hetimeve ndaj zotit Mediu.

Rihapja e hetimit për rolin që ish ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu kishte në tragjedinë e Gërdecit është një hap i parë. Zbardhja e të vërtetës që mbeti e fshehur në tragjedinë e gërdecit, është jashtëzakonisht e nevojshme për të kthyer besimin e shqiptarëve tek drejtësia.

Ndërkohë pyetja që kanë të gjithë në këtë moment, është, se a do ti shkohet deri në fund rrugës së nisur.

Në tragjedinë e Gërdecit u përmenden disa emra, një prej të cilëve edhe Shkëlzen Berisha. Ai u përmend gjerësisht si një nga personat e përfshirë në aferën e Gërdecit. Por a do shkojë drejt tij Drejtësia e re. Kjo mbetet për t’u parë.

Ngjarja

Më 15 mars të 2008-ës në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.

Si rezultat i kësaj ngjarje u shkaktua vdekja e 26 personave dhe plagosja e rreth 300 të tjerëve. Po kështu, kjo ngjarje solli pasoja dhe dëmtime të pasurive të ndryshme në total në vlerën 2.2 mld lekë, duke përfshirë pasuri të shtetasve dhe pasuri shtetërore e publike.

Prokuroria në atë kohë mes personave që mori të pandehur ishte edhe Fatmir Mediu, që akuzohet për shpërdorim detyre. Mediut iu hoq imuniteti në qershor të 2008-ës dhe në mars të 2009 çështja shkoi në Gjykatën e Lartë, që sipas ligjeve në atë kohë kishte kompetencë gjykimin fillestar të ministrave dhe deputetëve.

Por, fiks një vit pasi iu hoq ky imunitet, Fatmir Mediu u rizgjodh sërish në zgjedhjet e 2009-ës dhe avokatët e tij e interpretuan atë si riveshje me imunitet. Në shtator i kërkuan Gjykatës së Lartë të mbyllnte dosjen e Mediut, pasi ishte zgjedhur deputet. Po në shtator, gjykata vendos me shumicë votash për të mbyllur dosjen e Fatmir Mediut.

Postime të lidhura