zoom

Lajme

Gjykata e Lartë pritet të japë sot vendim për masën e arrestit të ish-kryeministrit Berisha

Gjykata e Lartë pritet që sot të japi vendim për ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi do të shqyrtoje rekursin, përmes të cilit kërkon heqjen e masës së sigurisë arrest shtëpie, ku mbahet prej 30 dhjetorit 2023, masë e kërkuar nga SPAK dhe vendosur nga GJKKO në dy shkallë.

Berisha nuk i ka fituar betejat e deritanishme me drejtësinë, pasi çdo kërkesë e tij është rrezuar nga Gjykata e Posaçme apo Apelit të Posaçëm. Në mënyrë të përsëritur avokati i tij Genci Gjokutaj këmbëngul se drejtësia po vepron nën urdhrat e kryeministrit dhe qëllimi është që Berishës t’i digjet mandati i deputetit.

Gjykata ka refuzuar edhe lejen për të ndjekur Parlamentin disa herë radhazi.

Berisha dyshohet për korrupsion bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, në lidhje me procedurat e privatizimit te ish klubit sportiv “Partizani”. SPAK shtyu së fundmi afatet e hetimit edhe për 3 muaj të tjerë. Zgjatja e afateve të hetimit pritet të miratohet nga Gjykata e Posaçme. /ZOOM.AL/