zoom

Aktualitet

GJKKO lë pas hekurave të qelisë kryebashkiakun Jorgo Goro, liron dy zyrtarët e tjerë

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, për kryebashkiakun e Himarës në detyrë, Jorgo Goro.

Pas një seance maratonë, togat e zeza kanë ndryshuar masën e sigurisë për ish-drejtorin e Kadastrës, Bilbil Aliajn. Aliaj është lënë në detyrim paraqitjeje.

Ndërsa për Vezir Gjikokën, specialist, u la në fuqi masa e arrestit në shtëpi. Të tre akuzohen për shpërdorim detyre, në lidhje me tjetërsimin e sipërfaqeve të tokës bregdetare, në favor të familjes së deputetes Olta Xhaçka.

Goro akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me pronën ku Artan Gaci, ish-deputeti socialist dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka, po ndërton një investim strategjik në miliona euro.

Goro i ka mohuar akuzat, duke thënë se ka dhënë vetëm mendim për zgjidhjen e konfliktit të pronësisë mes palëve. Kryebashkiaku akuzohet për “shpërdorim i detyrës”. Avokati kërkoi masë të butë dhe SPAK konfirmimin e “arrestit me burg”. Goro u ndalua të shtunën, në një lokal në Dhërmi.

Në ambientet e gjykatës kanë mbërritur edhe Bilbil Aliaj, ish-drejtor i ASHK Vlorë dhe Vezir Gjikolaj, ish-jurist i ASHK Vlorë. Bilbil Aliaj, me detyrë Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), është i dyshuar për kryerjen e veprës penale “shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.

Ndërkohë, Gjikoka, me detyrë Jurist pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), është i dyshuar për kryerjen e veprës penale “shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal. /ZOOM.AL/