zoom

Aktualitet

GJKKO lë në qeli “Niçen”, kreun e grupit të Shijakut. Astrit Avdyli akuzohet për dosjen “Revanshi”

Gjykata e Posaçme ka lënë sot në burg Astrit Avdylajn, i njohur edhe si kreu i grupit të bandës së Shijakut, duke konfirmuar masën e mëparshme të dhënë në mungesë gjatë operacionit të koduar “Revanshi”.

SPAK ka në dosje 50 persona nga 7 organizata kriminale me emra të njohur, mes tyre “mbreti i kumarit” i zhdukur mistershëm prej dy vitesh, Ervis Martinaj, ish-deputeti socialist Arben Ndoka, Emiljano Shullazi, Durim Bami, vëllezërit e klanit Duka dhe të tjerë.

Gjatë seancës Avdylaj nuk ka dhënë asnjë deklarim.

Në maj 2024, ndaj dy vëllezërve të botës së krimit në Shijak, Astrit dhe Altin Avdylaj, janë lëshuar urdhër arreste nga Prokuroria e Posaçme, mes 50 të tjerëve. Sipas burimeve, hetimet nisën pas transkriptimeve të bisedave përmes kodeve “Sky” që këta persona përdornin me njëri-tjetrin.

Astrit Avdylaj, me nofkën “Niçja”, njihet si kreu i bandës së Shijakut dhe ndaj tij ka pasur akuza droge, vrasje, prostitucion, por edhe për lidhje të forta politike, së bashku me vëllanë e tij Altin Avdylaj.

Ai ka qenë i hetuar dhe gjatë operacionit të koduar “Vol-Vo 4” për trafikun e drogës në Itali, teksa ka pasur edhe një dënim me 12 vite burg në mungesë. Prej disa javësh ishte në kërkim për dosjen e SPAK të koduar “Revanshi” dhe u lokalizua dhe kap në banesën e tij, teksa tentoi arratisjen. Si provë iu gjet edhe një pistoletë. /ZOOM.AL/