zoom

Lajme

Gjiknuri për Zgjedhoren: Me formulën e re janë 40 mandate në lojë, votim elektronik në 5 qarqe…

Damian Gjiknuri, deputet i PS-së dhe një nga hartuesit e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, në negociatat e zhvilluara me kolegun e PD-së, Oerd Bylykbashi, gjatë diskutimeve në sallën e Parlamentit, tha se ka një kakofoni sikur formula e përdorur për listat e kandidatëve po mbyll garën.

Gjiknuri shpjegoi ndër të tjera se në vitin 2021, vetëm 3 kandidatë thyhen herësin, ndërsa me formulën e propozuar janë rreth 40 mandate në lojë.

“Edhe sikur të kemi listat 100%, e dini sa mandate do të ndryshonin në renditje, referuar rezultatit të 2021? Vetëm 34 mandate dhe nuk do kishim garanci për kuotat gjinore. Me sistemin e hapur në lojë, duke respektuar kuotat gjinore, do të ishin në lojë 22 mandate. Ndërsa sot kemi në lojë 40 mandate. Pra miti i mbylljes së konkurrencës rrëzohet me shifra”, tha Gjiknuri.

PS dhe PD kanë dakordësuar në Grupin e Dialogut disa ndryshime thelbësore të Zgjedhores, ku kryesorja ishte vota e Diasporës, por edhe herësi dhe listat.

Një nga hartuesit e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, socialisti Damian Gjiknuri deklaroi në Kuvend se janë përmbushur kushtet që në 5 qarqe, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të votohet dhe numërohet elektronikisht. Gjiknuri tha se në Shqipëri nuk ka më ankesa për administrimin e procesit zgjedhor, ndërsa theksoi se duhet të ndryshojë mentaliteti i mospranimit të humbjes.

“Asnjë nuk ankohet më për administrim të zgjedhjeve në Shqipëri, pasi çdo votë numërohet pasi është hedhur, çdo kuti hapet sa herë kërkohet, çdo votë skanohet dhe ruhet, çdo qendër votimi filmohet, çdo zgjedhës identifikohet me teknologji. Dhe mundësia është që në 5 qarqet më të mëdha të vendit të realizohet që çdo votë të votohet dhe numërohet elektronikisht. Ky është vullneti i mazhorancës. Një dekadë më parë disa deputetë këtu futeshin në grevë urie për një kërkesë fare të thjeshtë, të shihnin votën e tyre.

Kohët ndryshojnë dhe patjetër me të edhe njerëzit. Por një gjë nuk po ndryshon, kultura e pranimit të humbjes e cila mban peng jetën politike në vend dhe na bën ne t’i kthehemi kësaj teme me reforma apo quazi reforma të ashtuquajtura elektorale. A do të jetë e fundit? S’di ta them. është si t’i besoj më shumë shpresës se sa arsyes. Por le të jetë votimi i sotëm një hap drejt shpresës…”, u shpreh Gjiknuri./ZOOM.AL/