zoom

Kosova

Gjenden në varrin masiv 11 të zhdukur gjatë luftës në Kosovë/ Kurti rendit emrat e shqiptarëve që u groposën nga Serbia

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka ndarë lajmin për gjetjen e 11 shqiptarëve që luftuan për Kosovën, por që prej 26 vitesh ishin të zhdukur.

Sipas Kurtit, trupat e tyre të pajetë janë identifikuar në një varrezë masive në Bishtazhin.

Albin Kurti akuzon Serbinë se ajo ka rrëmbyer dhe ka groposur 11 djemtë shqiptarë gjatë kohës që zhvillohej lufta në Kosovë.

Ai shton se ky është një moment i vështirë për familjarët e tyre, ndërsa kërkon që betejës për drejtësi t’i shkohet deri në fund.

Postimi i Albin Kurtit

Pas 26 pranverash në pritje e ankth të familjeve, 11 të zhdukur gjatë luftës janë gjetur dhe identifikuar në varrezën masive në Bishtazhin. Pas masakrës në Kralan, forcat shtetërore të Serbisë, i kishin rrëmbyer dhe groposur në varreza masive, në përpjekje që t’i zhdukin, bashkë me dëshmitë e krimeve.

Më 2 prill 1999, ata, bashkë me qindra burra dhe djem shqiptarë, u grumbulluan me dhunë nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, në një fushë në Kralan, rrethuar me tanke.

Aty u mbajtën nën tortura të vazhdueshme, pa ujë dhe ushqim për dy ditë. Më 4 prill, nga ta u ndaluan 86 burra dhe djem, ndër të cilët 11 ishin të mitur. Që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë. Disa prej tyre ishin gjetur në afërsi të liqenit Peruqac në Bajina Bashta të Serbisë. Pas zhvarrosjes nga Bishtazhini, Serbia i rrëmbeu kufomat.

Pas 26 viteve, në varrezën masive në Bishtazhin, janë gjetur dhe identifikuar:
Adem Gashi
Sahit Gashi
Bekim Hasani
Sheremet Ismajli
Mentor Myrtaj
Osman Fejza
Shkelzen Hajdaraj
Bekim Gashi
Sabedin Kryeziu
Mentor Kryeziu
Vehbi Halilaj

Plagët e hapura të zhdukjeve me dhunë janë e vërteta e krimeve çnjerëzore dhe gjenocidit të kryer nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Në këto ditë të rënda nuk është e lehtë të gjenden fjalë ngushëllimi që mund të plotësojnë zbrazëtinë që ka lënë mungesa e tyre. Është e vështirë të gjejmë fjalë mjaftueshëm të fuqishme për të përshkruar forcën dhe durimin e palëkundshëm të familjarëve përgjatë këtyre viteve.

Në këto ditë, e çdo ditë tjetër, të përbashkët e kemi dhembjen dhe nderimin për martirët e dëshmorët e kombit në Kosovë. Qëndrojmë bashkë për të mos lejuar harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë.

Jemi të përbashkuar në betejën për të vërtetën dhe drejtësinë.

Jemi pranë familjeve, me gjithë përkrahjen e mundshme, në këtë rrugëtim të vështirë të dhembjes dhe kujtesës.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të dashurit tonë që sakrifikuan jetën për lirinë që ne e gëzojmë.

Lavdi!

Postime të lidhura