zoom

Slider

Gjashtë shenja që paralajmërojnë sëmundjen e kancerit! Çfarë duhet të bëni

Zbulimi i hershëm i një tumori malinj është thelbësor për menaxhimin e sëmundjes. Njohja e simptomave dhe kontrollet mjekësore janë gjithmonë të rëndësishme.

Kanceri mund të shfaqet te njerëzit në mënyra të ndryshme. Gjithashtu simptomat e një personi mund të ndryshojnë nga të tjerët, ndërsa disa janë asimptomatik,

“Është e rëndësishme të dini se çfarë është normale për ju dhe të flisni me mjekun nëse vëreni ndryshime të pazakonta ose shenjë që nuk do të largohet. Kjo mund të ndihmojë në diagnostikimin e kancerit në një fazë të hershme, kur trajtimi ka më shumë gjasa të jetë i suksesshëm”, sipas Cancer Research UK.

Mund të jetë një gungë, një nishan i çuditshëm, gjakderdhje jonormale ose humbje e papritur në peshë.

Ka më shumë se 200 lloje të kancerit me simptoma të ndryshme, thonë studiuesit e Cancer Research UK, e cila përpiloi dhe publikoi një listë me gjashtë shenjat më kryesore.

1. Lodhja
Ka shumë arsye pse mund të ndiheni më të lodhur se zakonisht, veçanërisht gjatë periudhave të stresit intensiv ose nëse keni probleme me gjumin. Por nëse ndjeni një lodhje të vazhdueshme ose pa ndonjë arsye të dukshme, mund të jetë një tregues se duhet të shkoni te mjeku.

2. Djersitje intensive gjatë natës ose ethe
Djersitjet ose ethet gjatë natës mund të jenë për shkak të infeksioneve ose reaksioneve të padëshiruara të barnave, gjithashtu janë të zakonshme gjatë menopauzës.

Megjithatë, djersitja është gjithashtu një simptomë e kancereve si leucemia dhe kanceri i mëlçisë. Në rast të djersitjeve shumë të mëdha gjatë natës ose temperaturës së pashpjegueshme, kërkoni këshilla mjekësore.

3. Gjakderdhje ose mavijosje e pashpjegueshme
Nëse njëra ose të dyja të mësipërmet nuk janë për shkak të një dëmtimi, ato duhet të kontrollohen nga një mjek. Gjakderdhja mund të gjendet në feces, urinë, mukozën e kollës, etj. Tek gratë, gjakderdhja vaginale e pashpjegueshme mund të ndodhë midis periodave, pas seksit ose pas menopauzës. Pavarësisht nga sasia e gjakut ose ngjyra e tij (e kuqe në kafe dhe pothuajse e zezë), bisedoni me mjekun tuaj.

4. Dhimbje ose shqetësim i pashpjegueshëm 
Dhimbja dhe shqetësimi janë mënyra e trupit tonë për të na treguar se diçka nuk është në rregull. Dhimbjet e ndryshme janë më të zakonshme teksa rritemi, por kur ato janë të pashpjegueshme ose të vazhdueshme në ndonjë pjesë të trupit mund të jetë shenjë e diçkaje më serioze.

5. Humbja e pashpjegueshme e peshës
Ndryshimet e vogla në peshë me kalimin e kohës janë krejtësisht normale, por humbja e disa kilogramëve pa bërë asnjë përpjekje është një arsye për të shkuar tek mjeku tuaj. Mund të jetë një shenjë e problemeve shëndetësore përveç kancerit.

6. Gungë ose ënjtje e pazakontë kudo
Një gungë ose ënjtje që u shfaq papritur kudo në trupin tuaj dhe vazhdon duhet të merret seriozisht. Ato mund të dalin në qafë, sqetull, stomak, ijë, gjoks ose testikuj ndër të tjera.